“Parisi u shfytyrua. Ky qytet nuk do te jetë më kurrë i njëjti…”, tregon Philippe, punonjës komunikacioni.

Francezët panë të pafuqishëm pasditen e 15 prillit të materializohej përpara syve të tyre e paimagjinueshmja: Katedralja madhështore e Notre Dame-it, kryevepra arkitekturore që është ngritur krenare për tetë shekuj e gjysmë në peisazhin parizjen duke i rezistuar revolucionit francez dhe dy luftërave botërore, po gjunjëzohej fare papritmas përpara një armiku të djallëzuar e të pabesë. Ishte thuajse e pabesueshme ta shikoje gjigantin e heshtur të historisë të gllabërohej nga flakët me një shpejtësi rrënuese, si për t`i kujtuar kështu paturpësisht njerëzimit pafuqinë e tij.
Miliona vetët në Paris e nëpër botë që e panë strukturën unike të digjej, zor se mund të mos përfshiheshin nga një ndjesi dëshpërimi. Ndërtesa e ngritur në 200 vjet, u zhbë brenda ditës. Të gjithë kërkojnë arsye, justifikime, diçka që t`i ndihmojë të vajtojnë humbjen e një pjese të bukurisë botërore.

“Notre Dame është më shumë sesa një objekt; kjo katedrale është e lidhur me vetë themelet e kulturës tonë. Emocioni që ajo ngjall nuk ka të llogaritur”, tregon një banor.

“Nëse Parisi është Kulla Eiffel, atëherë Franca është Notre Dame. E gjithë kultura, e gjithë historia e Francës është mishëruar në këtë monument”, thotë Bernard Lecomte, specialist në historinë fetare.

Alarmi i zjarrit në njërin prej objekteve më të vyer të Francës ra në 6;20 pasditen e së 15 prillit; u bënë disa kontrolle por nuk u diktua gjë. Fatkeqësisht, nuk kishte qenë një alarm i rremë. Kur sinjali shfryu sërish në 6:43, ishte tepër vonë: flakët kishin përfshirë trarët e drunjtë e po ngjiteshin të pamëshirshme drejt çatisë.

“Alarmi i parë, i cili u verifikua nga stafi i katedrales e jo nga zjarrfikësit, ishte ai që çoi në evakuimin e kishës, por jo në zbulimin e zjarrit. Ata nuk gjetën shenja zjarri, megjithatë kisha u evakua sepse mesha aty, kishte nisur vetëm pak përpara këtij episodi”, thotë Rémy Heitz.
Besimtarë e turistë e zbrazën katedralen shume shpejt. 20 minuta më vonë, ende nuk dukej ndonjë gjurmë flakësh, sipas atyre që ndodheshin në vendngjarje. Megjithatë fakti që nuk e panë zjarrin, nuk do të thotë se ai nuk po gjallonte. Notre Dame kishte monitorues zjarri që e kontrollonin tre herë në ditë strukturën prej druri poshtë çatisë, veçse nuk kishte përkatës automatik uji e hapësira e papafingos së saj, e nuk që ndarë me mure mbrojtëse kundër flakëve. Fatmirësisht, nuk pati të vdekur, por me zjarrin që shkrumboi një pjesë jo të vogël të simbolit të katolicizmit në Francën e mburrur me laicitetin e saj, diçka u shua një herë e përgjithmonë: mundësia për të parë nga afër e për të prekur me dorë një pjesë të gati 1000 viteve histori.

Banorët e Parisit nuk po besonin dot syve; të pafuqishëm për të bërë diçka, impulsi tyre i parë ishte lutja.

“Ishte e rëndësishme për mua të isha këtu, duhet të isha patjetër; pamjet që pashë më shokuan thellësisht; shembja e katedrales do të rrënjoset në kujtesën time. Duhet të vija të vija këtu e të lutesha për të, bashkë me të tjerët”, tregon Matilde, 27 vjeç, inxhiniere dhe katolike .

“Nuk jetoj larg prej këtej dhe mbërrita shumë shpejt. Doja ta shihja me sytë e mi se ç`po ndodhte. Nisa të pyes veten: përse, përse duhet të ndodhin gjëra të tilla? Diçka nuk shkon këtu, nuk është e drejtë”, tha Mrs. Nicolas, 38, mësuese, jo-katolikë.

Ndërtesa historike u arrit të shpëtohej për vetëm 15 deri në 30 minuta; ekipi i 400 zjarrfikësve luftoi 15 orë me flakët, ama nëse nuk do ta shuante zjarrin brenda këtyre minutave kritike, Notre Dame mund të mos kishte shpëtuar.

“Në strukture janë identifikuar disa pika të dobëta; situata sigurisht nuk do të anashkalohet, por në përgjithësi, katedralja po mbahet mirë”, do të deklaronte Laurent Nunez, ministër i brendshëm.

Në mesazhin e tij në Twitter, Donald Trump, ndër të parët liderë botërore që reagoi ndaj fatkeqësisë, përcolli keqardhje për episodin, e shtroi dhe variant që në fakt, mund të ketë përshkruar mendjet e jo pak personave: mbi zjarrin të hidhej ujë nga lart, me avionë çisternë. Krerët e departamentit të zjarrfikësve, nuk është se nuk e kishin menduar këtë variant; çështja është se ata e kishin trajtuar me shumë kujdes të gjithë situatën : një skenar i tillë, jo vetëm nuk do të ndihmonte, por do ta rrezikonte edhe më shumë ndërtesën e dobësuar nga zjarri. çelësi i zgjidhjes, ne ato moment, dukej vetëm ulja e temperaturës brenda saj. përpjekjet për ta ftohur katedralen e përflakur, vazhduan përgjatë gjithë natës..

“Koha dhe era ishin kundër nesh; na duhet të merrnim një vendim të shpejtë, dhe prioriteti që i vumë vetes ishte shpëtimi i dy kullave të këmbanareve, dhe ashtu ndodhi. Që nga fillimi, në çdo çast ka ekzistuar mundësia që struktura të shembej e gjitha”, do të tregonte Gabriel Plus, shef i skuadrës së zjarrfikësve.

Era e drurit të përcëlluar të katedrales ikonë mbërriti deri në Vatikan. Papa Francesku falenderoi zjarrfikësit që nuk menduan për veten kur u hodhën të shpëtonin kishën e paçmuar.

“Mirënjohja e të gjithë kishës katolike shkon për ata që bënë çdo gjë mundën, që rrezikuan dhe jetët e tyre për ta shpëtuar bazilikën. Virgjëresha Mari e bekoftë të gjithë popullin francez dhe vetë punën e rindërtimit. Qoftë ajo një punë kolektive, në lëvdimin dhe glorifikimin e Zotit”, do të deklaronte Papa Farnçesku .

Zjarrfikësit morën dhe meritën e shpëtimit të thesareve të katedrales gotike: zinxhiri njerëzor që ata krijuan, që vendimtar për nxjerrjen e relikeve të vyera fetare përfshirë kurorën e gjembave, e cila besohet të jetë vendosur në kokën e Jezusit gjatë kryqëzimit dhe tunikën e Shën Luigjit. Njerëzimi po kështu nuk do të privohet as nga mundësia për të parë një fragment, siç pretendohet të Kryqit ku thuhet se vdiq Krishti, dhe një gozhdë origjinale të përdorur në atë rast; ato u shpëtuan nga flakët bashkë me organon e famshme të madhe, një numër të konsiderueshëm artefaktesh e sklupturash, statuja e Shën Mërisë me fëmijën, ajo e Shën Denisit, shenjtit që mbron Parisin, si dhe piktura e dijetarit të madh të krishterë, Thoma D`Akuinos. Justinë, një inspektore sigurie, ishte pjesë e ekipit të cilit iu besua misioni i transportit të relikeve të vyera që arritën t`i shpëtonin zjarrfikësit duke i dërguar ato drejt hollit të bashkisë ku do të jenë të sigurta në pritje të verifikimit e meremetimit.

“Ishte një ndjesi e çuditshme, sepse të besohen papritur objekte qindra vjeçarë, objekte shekullore që kanë rezistuar kohës dhe janë aq të vyer, ndaj duhet të bësh shumë kujdes, sepse fati i të paktën atyre më delikateve, në ato moment, është praktikisht në duart e tua”, tha Justine.
48 orë pas rënies së zjarrit, këmbanat e katedraleve të të gjithë Francës gjëmuan njëzëri në të njëjtin moment.

Në Shtetet e Bashkuara, Empire Statë Building dhe maja e One World Trade Center ndriçuan mbrëmjen e 16 prillit me ngjyrat e flamurit francez, një homazh për katedralen dhe një shenjë solidariteti me Francën. Ajo që ndodhi në Paris, preku mbarë botën.

“Ishte një lajm i tmerrshëm; pamjet e atyre flakëve sikur të shkulnin zemrën nga vendi; bota rrezikoi të humbiste një objekt të një rëndësie të jashtëzakonshme historike dhe kulturore”, tregon Cedhie Tabalanza, filipinase.

Notre Dame që do të thotë `Zonja Jonë`, në nder të Shën Mërise, u ndërtua në një ishull të vogël, të quajtur Île de la Cité, në mesin e Senës. Ngritja e saj filloi në 1163, gjatë sundimit të mbretit Luigji VII; gurin e parë e vendosi papa Alexander III, por do të përfundonte vetëm në 1345-sën. Që prej atëherë, ka qenë dhe mbetet xhevahiri i arkitekturës gotike. Pasi ndërtimi kishte filluar, iu shtuan disa harkada nga jashtë; qëllimi ishte që ato të mbështesnin muret e katedrales elegante e të parandalonin krisjen e tyre, duke i përforcuar në të njëjtën edhe hijeshinë hijeshi pamjes e stilit të saj. gjatë revolucionit francez ne vitet 1790, katedralja do të dëmtohej e lihej pas dore; shpërfillja që rrethoi këtë bukuri për syrin dhe shpirtin u reflektua edhe tek romani i famshëm I Viktor Hygoi, `Katedralja e Parisit`, ku gjiganti i letrave përcolli një tablo aq të saktë të gjendjes së mjerueshme të saj, sa tani, disa gjetën ngjashmëri mes përshkrimit që ai i bënte zjarrit të nisur nga Kuazimodo me atë që rrezikonte ta zhdukte tani. Pikërisht libri i tij u bë shkak për meremetimet e mëdha të viteve 1844 dhe 1864, kur arkitektët Jean-Baptiste-Antoine Lassus dhe Eugène-Emmanuel Viollet-le-Duc e rindërtuan majën e kishës dhe harqet mbajtëse. Ajo po kështu, i mbijetoi pa dëmtime të mëdha dy luftërave botërore e bombardimeve gjermane. Dhe qe skena e disa eventeve historike; Henry VI I Anglisë u kurorëzua mbret i Francës brenda Notre-Dame në 1431, dhe Napoleon Bonaparte, që gjithashtu kërkoi shumë ta shpëtonte katedralen historike, mori atje në 1804 kurorën e perandorit. Në vitin 1909, papa Piu X zgjodhi `Zonjën tonë` për shenjtërimin e Zhan Darkës, që kish luftuar për Francën e ishte djegur në turrën e druve shekuj më parë.

Por, Notre Dame është djegur dhe më parë. Në fakt, godina aktuale është ngritur mbi një kishë të mëhershme, që e gjeti fundin mes flakëve. Zjarri e goditi përsëri në shekullin e 13-të, duke detyruar ripërsëritjen e punimeve ne periudhën e viteve 1230 – 1240.

Shpirti i një qyteti gjendet tek strukturat, ashtu si dhe tek historia dhe njerëzit e tij. Për Parisin, të humbiste Notre Dame-in do të thoshte të humbiste një pjesë të shpirtit të vet. Presidenti Emmanuel Macron u përpoq tua fashiste ca dhimbjen parizjenëve me premtimin ambicioz se `Zonja jonë` do të rindërtohet brenda pese vjetësh.

“Po, ne mund t`ia dalim, në mund ta rindertojmë Notre-Dame më të bukur se kurrë, dhe dua që kjo të përfundojë brenda 5 vjetësh. Do të mobilizohemi maksimalisht qe ta arrijmë një gjë të tillë” do të deklaronte Macron.
Për ekspertët, me këtë pohim të tij, shefi i Elizesë, u tregua më optimist se c`duhet.

“Zor se mund të bëhet për pesë vjet; duke pasur parasysh nivelin e dëmeve, do të duhet një kohë shumë më e gjatë, në mos dekada. Janë dritaret, altari, struktura vetë që duhet forcuar më së pari. Në mënyrë të veçantë më shqetësojnë kushtet e mureve prej guri. Ai zjarr ishte gjigand; mendoni çfarë nxehtësie është prodhuar aty brenda. Edhe pse guri vetë nuk digjet, një nxehtësi e tillë mund ta dëmtojë shumë. E gjithë struktura mbajtëse duhet kontrolluar me kujdes”, do të deklaronte Caroline Bruzelius.

Miliona euro u premtuan për ringritjen madhështore të katedrales ikonë; të parët me oferta dolën miliarderë vendas. Një thirrje e veçantë mbërriti dhe nga kreu i xhamisë së madhe të Parisit, Dalil Boubakeur.

“Po drejtoj një apel fetar, një apel financiar, një thirrje për ndihmë që të mbërrijë në zemrat e çdo myslimani në kërkim të solidaritetit të tyre financiar me qëllimin të ndihmojmë në rindërtimin e Notre Dame-it”, tha Dalil Boubakeur, Xhamia e madhe, Paris.

Mobilizimi i jashtëzakonshëm çeli një dritare shprese se ky objekt krenarie i Francës, i dëmtuar siç thuhet prej vetë përpjekjeve të restaurimit, do të rikthehet në formën e tij të vjetër. Por edhe duke i ditur këto, ndjesia e dhimbjes për atë që ndodhi në 15 prill, është e madhe. Një ndërtesë e vjetër si kjo, mishëron nocionin se koha, nuk mund të shkatërrojë çdo gjë. Këtë ndjesi e kanë ndarë për Notre Dame-n besimtarë e atësitë. Katedralja është një koleksion shtesash, riparimesh, zëvendësimesh, e të gjitha këto dëshmojnë vullnetin e njerëzimit për të mos lejuar që koha ta gërryejë këtë pjesë të historisë. Notre Dame nuk u rrënua, ajo do të ngrihet përsëri; njerëzit do të mund ta admirojnë sërish këtë libër të gurtë të historisë; ajo do të jetë po aq e bukur dhe maja e saj po aq delikate; por tashmë diçka do të jetë ndryshe, dhe Notre Dame, nuk do të jetë më kurrë si më parë.

Nga Irida Vasia

Top Channel