Të mërkurën do të luhen ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ku bien në sy dy përballje me interesa të ndërthurura edhe në kampionat.

Tirana do të udhëtojë drejt Gjirokastrës, ku përballë Luftëtarit do të zhvillojë dy ndeshje brenda javës; për Kupën në mesjavë dhe për kampionat në fundjavë.

Humbja ndaj Kukësit i ka futur dukshëm nën presion bardheblutë për objektivin e mbijetesës në kampionat, por gjithsesi, për trajnerin Ardian Mema skuadra e tij i ka ende mundësitë për të luftuar në të dyja frontet.

Ndërkohë, ndeshja tjetër gjysmëfinale do të jetë ajo mes Kukësit dhe Skënderbeut. Verilindorët do të jenë me mungesa të shumta në këtë ndeshje. Shameti, Melo, Valdet Rama, Dzaria, Maliqi, Musolli, që të gjithë do të mungojnë, megjithatë trajneri Ernest Gjoka është optimist për këtë takim.

Ndeshja e parë mes Kukësit dhe Skënderbeut do të luhet në stadiumin e Kamzës, ku hyrja do të jetë falas për tifozët verilindorë, ndërkohë që ndeshjet e kthimit për gjysmëfinalet e Kupës do të luhen më 8 maj.

Top Channel