I famshëm për shollët e kuqe të këpucëve të tij me taka, frymëzimin e sandaleve të veta më të fundit, stilisti francez Christian Louboutin e ka marrë nga një zonë fisnore kufitare në Pakistan, duke nxitur pretendimet pozitive të një afrimi të kulturave.

Një postim i stilistit, muajin e kaluar në Instagram, ku njoftohej prodhimi i sandales së re, u prit me entuziazëm të madh nga pakistanezët, të cilët e kanë konsideruar si një homazh për traditën e pasur artizanale të vendit.

“Kur bëra këtë lloj këpuce ‘Kaptaan Chappal’ për kryeministrin e vendit, kërkesat për të u shtuan ndjeshëm. Tani janë arritur edhe më shumë pas këtij lajmi të fundit”, tha Chacha Noor, këpucar.

“Chappali” ka qenë prej kohësh një objekt identifikues për etninë “Pashtun”, ndërkohë që në veriperëndimin e vendit, kjo këpucë përdoret gjerësisht, duke nisur që nga punëtorët e thjeshtë, e deri tek elita politike.

Tipari dallues i saj është thembra e hapur dhe rripi i trashë me togëz. Vet Louboutin tha se sandalja ishte thjesht krijimi më i fundit që shpreh “dashurinë e tij për elemente nga kultura të tjera”, duke shtuar se objektet e prodhuara prej tij janë shpeshherë një homazh për artizanët, apo traditat e tjera.

“Bota dhe diversiteti përbëjnë thelbin e punës sime”, ka qenë komenti i stilistit.

Top Channel