Titulli kampion në futbollin anglez mund të vendoset tashmë nga pikëpamja psikologjike, e momenti duket të jetë në favor të Liverpoolit. Shumë ekspertë të futbollit, në vendin ku edhe u shpik kjo lojë, po japin teori të ndryshme për një nga garat më të bukura për fronin e Premier League ndonjëherë.

Kampionati anglez ka ndryshuar kryesues plot 27 herë këtë sezon, e vetëm në sezonin 2001-2002, lufta për titullin ka qenë më e ashpër me plot 28 ndryshime në majën e renditjes. Por, askush nuk mund ta thotë me siguri, nëse do të jetë Liverpooli apo Manchester City, ai që do të fitojë në sfidën e fundit.

“The Reds” kanë 3 ndeshje të mbetura këtë sezon, por pa llogaritur asnjë nga këto, 88 pikët e grumbulluara do të kishin qenë mjaftueshëm që të fitonin titullin në 15 nga 26 kampionatet e fundit. Nëse “armata” e Jurgen Kloppit fiton me Huddersfield, Newcastle dhe Wolverhamptonin, do të ketë në total 97 pikë, por sërish kjo mund të mos jetë e mjaftueshme.

Manchester City, që prej fillimit të këtij viti ka luajtur 14 ndeshje dhe ka fituar 13 prej tyre. Kampionët në fuqi kanë lënë vetëm 16 pikë rrugës këtë sezon, por kjo javë do të jetë vendimtare. Të shumtë janë ata tifozë, që mendojnë se e mërkura në derbin me Manchester United do të vendosë titullin.

Nëse City humb pikë në “Old Trafford”, atëherë Liverpooli e ka një shpresë. “Citizens” kanë një ndeshje më shumë për të luajtur, por as Leicester City, as Burnley dhe as Brighton nuk përfaqësojnë në të vërtetë një pengesë serioze për kampionët.

Top Channel