“Sulmet e Sri Lankës u frymëzuan nga Shteti Islamik”, i tha CNN-it një zyrtar amerikan, që sqaroi se në këtë përfundim të çojnë të dhënat e shërbimeve sekrete.

Asnjë grup nuk e ka marrë deri tani përgjegjësinë për masakrën që shkaktoi 290 të vdekur e me qindra të plagosur, por dyshimet ranë që në fillim tek ekstremistët fetarë.

  290 viktima nga sulmi i koordinuar në Kisha e hotele në Sri Lanka

Qeveria fajësoi grupin jo shumë të njohur lokal xhihadist “National Thowheed Jamath”, nga i cili nuk ka ndërkohë asnjë pohim. Përballë provave, ekzekutivi vendas u detyrua të pranonte se ka pasur disa paralajmërime përpara serisë së sulmeve të bashkërenduara, por autoritet kishin dështuar të vepronin.

Së fundi u konfirmua se në mesin e viktimave ishin dhe 4 shtetas amerikanë. Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi se beteja kundër ekstremizmit në Sri Lanka është edhe betejë e Amerikës.

“Mund ta konfirmojmë se në mesin e viktimave kishte vërtet shtetas amerikanë. Kjo është edhe lufta e Shteteve të Bashkuara. Fola me kryeministrin e Sri Lankës dhe Ambasada jonë e pjesë të tjera të administratës amerikane po ofrojnë çdo asistencë të mundshme, si për amerikanët atje, ashtu dhe për qeverinë. Kërkuam që çdo keqbërës të dalë sa më shpejt përpara drejtësisë dhe ne jemi të përgatitur ta mbështesim një gjë të tillë”, tha Mike Pompeo.

Plot 24 vetë janë arrestuar pas aksionit policor, ndërsa zyra e presidentit shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, e cila iu jep policisë dhe ushtrisë fuqi shtesë për të vepruar. Autoritetet vendase kishin marrë që përpara dy javësh një paralajmërim për bombë nga “National Thowheed Jamath”, por as kryeministri dhe as kabineti i tij nuk ishte njoftuar.

  Masakra e Sri Lankës, qeveria kishte informacion mbi sulmet

Zyrtarët vendas janë të bindur se, pa mbështetjen e një rrjeti ndërkombëtar, këto sulme nuk do të kishin ndodhur. Në mesin e viktimave ishin dhe 3 nga 4 fëmijët e miliarderit danez, Anders Holch Povlsen, i njohur më së shumti si pronar i gjigantit të blerjeve “online”, “ASOS”.

  Miliarderi i “Asos” humb 3 fëmijë gjatë sulmeve në Sri Lanka

Top Channel