Sipas rezultateve të para të publikuara në ueb faqen e KSHZ-së prej 96,92% të votave të përpunuara, kryeson kandidati presidencial i LSDM-së dhe Koalicionit Stevo Pendarovski me 42,68 për qind, e dyta është kandidatja e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit Gordana Siljanovska Davkova me 42,55%, ndërsa i treti është kandidati i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, Blerim Reka me 10,43% për qind.

Në garë për pasardhësin e Gjorge Ivanovit janë tre kandidatë; Stevo Pendarovski, i nominuar nga Lidhja Social Demokrate dhe 31 parti tjera, përfshirë edhe Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit; Gordana Silajnovska-Davkova e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE dhe Blerim Reka, kandidat i propozuar nga dy partitë shqiptare të opozitës, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Presidenti mund të zgjidhet në raundin e parë, nëse ndonjëri nga kandidatët merr mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votave, por deri më sot kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. E nisur nga votat e numëruara deri më tani, edhe këto zgjedhje do të shkojnë në balotazh në 5 maj për të zgjedhur mes Stevo Pendarovskit dhe Gordana Silajnovska-Davkova, në krye të shtetit fqinj.

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, reagon kandidati shqiptar
Pas përfundimit të procesit zgjedhor në konferencë për shtyp, kandidati shqiptar për kryetar shteti në Maqedoninë e Veriut, Blerim Reka, u shpreh i kënaqur nga rezultati që ka arritur në këtë cikël zgjedhor.

Ai tha se në komunat shqiptare ka fitore 3 me 1 ndaj kundër kandidatëve, ndërsa shtoi se ka marrë vota në çdo komunë maqedonase.

Sipas tij, partitë në pushtet kanë ushtruar një presion të madh kundrejt votuesve shqiptarë dhe se elektorati është i kapur.

Reka më tej tha se ky korpus i votave “Reka për Republikën” paralajmëron një pranverë të re për vendin dhe shumë shpejt do të kemi zgjedhje të reja parlamentare.

Në fund ai u shpreh se nuk është dakord me këtë sistem zgjedhor për zgjedhjen e Presidentit duke sugjeruar rritjen e kompetencave të Presidentit të Republikës.

Top Channel