“Nuk do t’ju zhgënjej kurrë”, ky është premtimi që komediani tashmë president, Volodimir Zelenski, i bëri mbështetësve të tij pas fitores historike në zgjedhjet presidenciale ukrainase.

Zelenski, me thuajse të gjitha votat e numëruara ka marrë më shumë se 73 për qind të tyre, ndërsa presidenti në detyrë, Petro Poroshenko, qëndron pas, në shifrën 24 për qind. Ky i fundit, e pranoi humbjen pas rezultateve të para dhe tha se nuk do të largohet nga politika.
Rishtari politik, Zelenski, 41 vjeçar, është i njohur për pjesëmarrjen në një seri televizive satirike, shërbyesi i popullit, ku personazhi që ai luan, bëhet papritur president i Ukrainës. E duket sikur ajo që i ka ndodhur në set, është përkthyer në jetë reale. Ai i tha gazetarëve, se do të inkurajojë bisedimet me separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje.
“Unë mendoj se do të kemi ndryshime. Sidoqoftë, unë do të vazhdoj në drejtim të bisedimeve të paqes së Minskut dhe drejt finalizimit të armëpushimit”, tha ai.
Tani, mbi Zelenskin do të rëndojë presioni për të demonstruar se ai e di se çfarë po bën. Gjatë fushatës ai ka evituar intervistat serioze dhe diskutimet politike, duke preferuar postime prekëse në mediet sociale. Por tani, një muaj para inaugurimit, komediani i shndërruar në president, duhet të përballet me çështje komplekse.

Top Channel