Dy muaj nga nisja e protestave, opozita vendos të ndryshojë strategji. Në mbledhjen që kryedemokrati Basha pati me krerët e degëve u ra dakord që të enjten të mos ketë protestë para Parlamentit, por aksioni të zhvendoset në rrugë me bllokimin e disa akseve kryesore kombëtare.

Burime i thanë Top Channel se, bllokimi i rrugëve nuk do të ndodhë në të njëjtën orë kur mazhoranca të mblidhet në seancë plenare, por pasdite. Përshkallëzimi i aksionit opozitar, me protesta rajonale në akset krysore, i paraprin protestës së katërt kombëtare para Kryeministrisë, e cila do të mbahet të shtunën e 11 majit në orën 18:30.

Me krerët e degëve, Lulzim Basha diskutoi edhe për disa nga opsionet sesi mund të pamundësohen zgjedhjet lokale, nëse ato do të mbahen pa opozitën. Kryedemokrati Basha është shprehur se opozita nuk do të lejojë zgjedhje farsë, e se ato do të mbahen vetëm pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të 2017-s.

Megjithatë, selia blu nuk dha detaje për mënyrën sesi do të pamundësohen zgjedhjet. Aksionin e opozitës, Basha e diskutoi edhe me kryebashkiakët e djathtë, të cilët i propozuan kryetarit demokrat që të dalë lista e kandidatëve për kryetarë bashkie, në mënyrë që ditën kur të plotësohen kushtet për t’u futur në zgjedhje, elektorati të jetë i njohur me figurat që propozon Partia Demokratike për drejtimin e 61 bashkive të vendit.

Top Channel