Humbja me Chievon ka komplikuar tej mase misionin Champions për Lazion, që ndonëse kishte përballë një skuadër të pamotivuar, që ka siguruar rënien në Serinë B, sërish nuk diti të marrë maksimumin.

Kjo gjë ka nervozuar tej mase presidentin e bardhekaltërve, Claudio Lotitto, i cili ka thirrur në një mbledhje Drejtorin Sportiv Igli Tare dhe trajnerin e skuadrës, Simone Inzaghi.

Ultimatumi ndaj këtij të fundit ka qenë i prerë, për të shpëtuar pankinën duhet që të fitojë patjetër Kupën e Italisë, në kuadër të të cilës do të përballet me Milanin të mërkurën në mbrëmje, në “Olimpico”, për të luajtur gjysmëfinalen e kthimit, pas sfidës së parë që përfundoi në barazim pa gola.

Pikërisht për këtë arsye, tekniku nuk i la pushim futbollistët as dje në kremtimin e Pashkës Katolike, duke kërkuar që ekipi të rritë përqendrimin në fazën më vendimtare të sezonit, ku përveç Championsit, në rrezik është edhe një vend në Europa League, pasi renditja është mjaft e ngjeshur në atë zonë.

Lacialët janë ankuar vazhdimisht edhe për vendimet e arbitrave gjatë sezonit, por duket se kanë kuptuar që një pjesë të mirë të përgjegjësisë duhet at marrë edhe tekniku Inzaghi, dashuria me të cilin duket se ka përfunduar tashmë.

Top Channel