Ambientet ku po zhvillohet takimi per themelimin e Bindjes Demokratike.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Open” të Eni Vasilit në ekranin e Top Channel, gazetarja Elda Menga zbuloi disa informacione nga takimi me dyer të mbyllura që po zhvillojnë rreth 26 nismëtarët e krijimit të një partie të re të quajtur “Bindja Demokratike”.

Ajo që çudit më shumë është se, kjo parti, e cila do të regjistrohet ditën e martë në gjykatë dhe në KQZ për zgjedhjet e ardhshme lokale, do të vendosë edhe një precedent të padëgjuar më parë. Ajo nuk pritet të ketë një kryetar partie, por një bord drejtues, pa ditur ende përbërjen dhe numrin e tij.

Kjo bëhet që partia e re të mos ketë një drejtues që do të forcojë pozitat e tij në krye të partisë dhe me vendimmarrje të përqëndruar, por për të marrë vendime kolegjiale. Megjithatë, nga ajo që është mësuar, Rudina Hajdari është distancuar nga kjo nismë e lançuar fillimisht prej saj, madje duke u konsideruar edhe kryetarja e mundshme saj, pasi anëtarët e grupit të ri parlamentar demokratik nuk kishin pranuar fraksionimin e PD-së ku të përfshihej edhe Astrit Patozi.

Top Channel