Europa League e këtij sezoni nxori në pah shumë talente në ndeshjet e deritanishme, por asnjë nuk ka tërhequr vëmendjen aq shumë sa Joao Felix. Talenti portugez i Benfikës është kthyer në objektivin e shumë klubeve kontinentale, duke u kthyer njëkohësisht edhe në objektin e një ankandi ndërkombëtar.

Benfika, e cila nuk priste këtë shpërthim të mesfushorit sulmues, synon të përfitojë të paktën 120 milionë euro, aq sa i garanton klauzola e zgjidhjes së kontratës. Manchester City, PSG dhe Real Madrid janë klubet e interesuara, të afta ta paguajnë këtë pa problem, po së fundi atyre iu është shtuar edhe Juventusi.

Cristiano Ronaldo u ka bërë të ditur drejtuesve të Juventusit se operacioni në fjalë është i mundur dhe i vlefshëm, e për këtë do të ndihmonte edhe agjenti i njohur i luzitanit, Jorge Mendes. I zhgënjyer për eliminimin nga Champions dhe me një plagë ende të hapur, Ronaldo kërkon lojtarë të tjerë cilësorë te Juventusi, por palët e përfshira e bëjnë akordin të komplikuar.

Joao Felix u bë lojtari më i ri që shënon një trigolësh në Europa League, me paraqitjen mbresëlënëse ndaj Eintracht Frankfurt. Ai u bë gjithashtu lojtari i parë që shënon 3 gola për Benfikën në turnetë europianë, pas vitit 1992.

Top Channel