Krishti u ngjall, mesnatën e së shtunës për të gjithë besimtarët katolikë në të gjitha kishat e vendit. Ndezja e qirinjve simbolizon pikërisht këtë ngjarje, për të dëbuar errësirën dhe për të sjellë shpresë.

Në këtë natë të bekuar,besimtarët shkuan më afër Jezusit me anë të pagëzimeve. Krishti u kryqëzua që njerëzimi të lirohet nga mëkatet dhe u ringjall për një Jetë të re, ishte kryefjala e arqipeshkvi im zot George Frendo në meshën e mbajtur në Katedralen Shën Palit.

“Ngjarja e Krishtit na frymëzon atë shpresë, për të cilën ne si individë kemi shumë nevojë sot. Dhe shpresa lind kurajo. Prandaj mos të shkurajohemi kur dëgjojmë lajme të këqija, mos të shkurajohemi në përballje me problemet e jetës personale, mos të shkurajohemi dhe në këtë situatë që po përjeton vendi ynë në këtë moment. Shqipëria ka kaluar situata shumë të vështira, më të vështira se situata e sotme”, tha imzot George Frendo.

Festimet e Pashkës vijuan me meshën e të dielës, ku urimet e sinqerta të shqiptarëve ishin të shumta. Dreka tradicionale në shtëpitë e besimtarëve katolike, ku nuk mungojnë vezët e Pashkëve, mbyll festimet e kësaj dite të bekuar.

Top Channel