Spektakli i së dielës në Top Channel do të jetë sot më pranë jush se kurrë, në këtë ditë festive.

Soni Malaj do të vijë ekskluzivisht në ” E Diell” me një performancë magjike si kurrë më parë, shoqëruar nga grupi i balerinëve në një kolazh muzikor të hiteve më të bukura të saj.

22 vite karrierë artistike, përgatitja për recitalin e datës 1 Maj në Amfiteatrin e Liqenit, kujtimet nga suksesi i grupit “Spirit Voice” ndër vite, prapaskenat e realizimit të këngëve dhe malli për babain e saj do të jenë disa nga pikat ku do të fokusohet intervista me artisten në fjalë.
Ajo i ka premtuar stafit të moderatorëve që do i çojë në disko! Do ua mbushë mendjen?

Kantautori Bojken Lako gjithmonë avantguard me muzikën e tij do të flasë për klipin më të fundit “Dance on the weekend”, adoleshencën, kontributin e tij në modernizimin e muzikës shqiptare, raportin me babanë dhe bashkëshorten e tij, Semi Jaupajn.

Lali dhe Luli si gjithmonë me batutat e tyre në majë të gjuhës edhe këtë puntatë kanë si mision paroditë muzikore te sjella me finesë dhe elegancë.

Shkolla Profesionale “Pavarësia” nga Vlora ka një të veçantë. Nxënësit janë përfshirë në projekte bamirësie duke rregulluar shtëpinë e një familjeje të pastrehë. Ndiqni rubrikën “Made in Albania” edhe për t`u njohur edhe me detaje të tjera të kësaj shkolle si në mekanikë apo teknologji informacioni.

Nuk do largohemi nga Vlora pasi në rubrikën “Escape” do të jetë prezente një shtetase polake e cila është e martuar me një djalë vlonjat. Blogerja Roxane Nowak do të tregojë për eksperiencën e saj në Shqipëri, njohjen me kulturën shqiptare, gatimet polake, kostumet, muzikën dhe traditat e çuditshme që ndodhin vetëm në Poloni.

Shefi i “Tribe Restorant” Juli Zguro do të provojë pjatën Vip të gatuar nga Alesia Bami ndërsa grupi i fëmijëve të “Dream House Dance Akademi” do të sjellin aromë vallesh shqiptare në studion e “E Diell”.

Boboshtica e njohur për kishat e saj të shekullit të 14-të, restorantet në formë taverne me gatime të freskëta dhe tradicionale, vlerat e tjera turistike etj, do të trajtohen gjerësisht në rubrikën “100 fshatrat”.

Fotografi i mirënjohur i trojeve shqiptare Norik Uka së bashku me ekipin e Sellma & Kaci do të kujdesen për realizimin e një photoshooting-u me moderatorët e “E Diell”. Çfarë ndodh në prapaskenat e tij, si realizohet dhe cili do të jetë rezultati final? “Gjira’s Style” do t’iu njohë sot hap pas hapi sesi kryhet ky proces.

Mos harroni të blini edhe biletat e Lotarisë Kombëtare, pasi një telefonatë mund t`iu ndryshojë ditën dhe të ardhurat tuaja.
Pashkët festohen më mirë nën shoqërinë ” E Diell”!

Top Channel