Pas fitores së Juventusit ndaj Fiorentinës dhe zyrtarizimit të titullit kampion 5 javë nga fundi i Serie A, duket se kampionati ka “ulur siparin” e tij, por në fakt ka ende “trofe” për t’u rrëmbyer, siç është lufta për një vend në Championsin e sezonit të ardhshëm, apo pse jo edhe mbijetesa mes të mirëve.

Një supersfidë ishte ajo e zhvilluar në “San Siro” të Milanos, aty ku as zikaltrit e Interit dhe as verdhekuqtë e Romës nuk arritën dot të triumfonin ndaj njëri-tjetrit, duke e mbyllur në ekuilibër total përballjen e drejtpërdrejt për Champions.

Një goditje me të djathtë nga ana e El Shaaraëyt kaloi në epërsi kryeqytetasit në minutën e 14, e u duk se me këtë rezultat do të mund të siguronin parakalimin e Milanit në renditje për t’u ngjitur në vendin e katërt. Mirëpo skuadra romane u tërhoq në ruajtje të rezultatit, të paktën për 45 minutat e para.

Kjo, pasi në të dytën, Interi u kundërpërgjigj me një goditje me kokë të Perisiç për të barazpeshuar gjithçka në minutën e 61-të. Një rezultat ky që nuk do të ndryshonte deri në fund të 90-minutëshit të rregullt dhe shtesave, e që do të konfirmonte kështu në vendin e tretë zikaltrit, me një distancë prej 5 pikësh nga Milani i vendit të katërt dhe 6 ndaj Romës së Ranierit, në vendin e pestë.

Top Channel