Mikro-monedha e parë që ka pasur sukses të madh në Europë, është euskoja, monedha e përdorur nga rajoni bask në Francë.

Monedha të tjera të ngjashme në shkallë të madhe janë krijuar në Bristol të Britanisë dhe në Bavari të Gjermanisë. Sterlina bristoliane po qarkullon me një barasvlerë të 780 mijë eurove, ndërsa shiemgaueri gjerman sa 648 mijë euro.

Por euskoja baske ka kapur vlerën 1 milionë euro në qarkullim, një rekord për Europën.

Këto sisteme “mikro-monedhash” bëhen për të përmirësuar ekonominë vendore, duke nxitur biznesin që ta mbajë paranë midis tregtarëve të brendshëm.

Por për baskët, duke qenë se kanë gjuhën dhe kulturën e tyre, dhe pse janë të ndarë në Francë e Spanjë, zbatimi i kësaj metode ka pasur një rëndësi edhe më të madhe.

Baskët janë përpjekur me vite të marrin pavarësi, dhe konfliktet e tyre me qeveritë kanë shkaktuar 850 të vdekur. Konflikti mori fund zyrtarisht vetëm në vitin 2018, kur grupi separatist ETA u shpall zyrtarisht i shpërbërë.

Por edhe për ata banorë që nuk e kanë mbështetur pavarësinë,  identiteti bask përbën një krenari kombëtare.

“Kur dikush më paguan me euskos, unë i flas në gjuhën baske dhe krijojmë menjëherë një lidhje”, thotë Pantxika Heguiaphal, punonjëse në një furrë buke në Bajonë, qyteti bask në Francë.

Organizata që menaxhon monedhën vendore investon në projekte lokale, duke këmbyer euro për eusko, si dhe jep subvencione të ndryshme për fermerë, dhe nis projekte mjedisore.

Por suksesi i monedhës mendohet se vjen edhe nga ideja për bashkim që u ofron banorëve. Për shembull, një pronare lokali thotë që ka zgjedhur një furnitor për pijet vetëm sepse ai paguante dhe paguhej me eusko.

Veç kësaj, banorët mund të marrin edhe karta krediti në eusko, kundrejt një pagese të vogël vjetore, dhe ta përdorin rregullisht në dyqanet e zonës. Në fakt, 600.000 nga 1 milionë euskot në qarkullim, janë dixhitalë.

Monedha u hodh në treg në vitin 2013, dhe që atëherë janë angazhuar 16 qytete dhe rreth 770 biznese në zonat baske.

Ata që duan t’i kthejnë euskot në euro, përballen me një kosto të lartë tarife këmbimi prej rreth 5%, një mënyrë që t’i qëndrojnë monedhës vendore.

Eusko renditet mes monedhave me më shumë rritje, ndaj baskët shpresojnë që kështu të arrijnë autonomi financiare deri në vitin 2021.

Megjithatë, zhvillimi ka qenë më i vogël se ç’pritej, për shkak të një konflikti ligjor që është zhvilluar midis shtetit francez dhe autoriteteve baske të Bajonës.

Vetëm në qershor të vitit 2018, Bajona fitoi ligjërisht të drejtën që me atë monedhë të paguajë këshilltarë e të ofrojë subvencione, pavarësisht kundërshtimeve nga shteti francez.

Nënkryetarja e bashkisë, e cila e ka kërkuar pagesën e saj në eusko, thotë se bëhet fjalë për një monedhë të vërtetë, jo shaka: “Duhet të ketë të njëjtin fleksibilitet si euroja, që ta rikthejmë në shoqëri”, thotë ajo.

Por a do të arrijë euskoja të futet deri te baskët e Spanjës? Mikro-monedhat nuk janë diçka e re në Spanjë. Në fakt, vendi numëron jo pak por 90 të tilla, edhe pse në shifra shumë të vogla, ndaj s’ka arsye që euskoja të mos futet dhe atje.

Qyteti më i madh i krahinës autonome baske në Spanjë, Bilbao, përdor që tani ehki, një monedhë në formë biletash që mundëson që paraja të qarkullojë brenda komunitetit.

Pra, baskët e Spanjës e kanë njohurinë. Suksesi i baskëve të Francës mund të bëjë që shumë shpejt euskoja të përdoret edhe atje.

Top Channel