Në një bllok apartamentesh në kryeqytet në krah është një ish-ndërmarrje shtetërore e privatizuar. Problemi fillon me çatinë prej eterniti, material i dëmshëm për shëndetin dhe që bota e zhvilluar ka dekada që e ka nxjerrë jashtë përdorimit. Pas këtij muri është një shesh që është shndërruar në vendgrumbullimi mbetjesh, që shqetëson banorët.

Ky vendgrumbullimi administrohet nga Bashkia e Tiranës që po përpiqet të kalojë në varësinë e saj gjithë aktivitetet e liçensuara të këtij lloji dhe t’i zhvendosë në periferi.

“Eterniti është kancerogjen. Aty brenda ka lloj lloj mbetjesh, dhe kafshë të ngordhura. Le ta kthejë bashkia në një park lojërash për fëmijët tanë që nuk kanë ku luajnë. Kjo është një vatër infeksionesh në mes gjithë këtyre pallateve”, shprehen banorët.

Më tej ata thonë se një vit më parë bashkia e pastroi vendin, por gjithçka është kthyer në gjendjen e mëparshme dhe ata shpresojnë që problemi i tyre të marrë një zgjidhje përfundimtare.

Top Channel