Në fshatin e vogël Nagoro, thellë në malet e Japonisë perëndimore, era gulçon mes një rruge të braktisur pa as edhe një frymë njeriu. E megjithatë, rrugët sërish duken të “ngarkuara” për shkak të mbushjes së tyre me kukulla me përmasa reale njeriu, që tejkalojnë me 10-fish numrin e banorëve.

Gjithçka, si pasojë e punës një një gruaje të vetme që po përpiqet të luftojë boshllëkun dhe vetminë që ndihet në Nagoro, sikurse edhe në shumë fshatra të tjera të Japonisë të shkatërruara nga shpopullimi.

Nagoro, rreth 550 km në jugperëndim të Tokios, po bëhet i njohur tashmë si “lugina e kukullave”, pasi banorja lokale Tsukimi Ayano nisi të vendoste dordolecë nëpër rrugë, për të injektuar kësisoj “jetë” në fshatin e shpopulluar.

“Vetëm 27 banorë jetojnë në këtë fshat, ndërsa numri i dordolecëve është 10-fish, gati 270”, thotë prodhuesja 69-vjeçare e tyre për agjencinë e lajmeve “AFP”.

E gjitha nisi 16 vite më parë, kur Ayano krijoi një dordolec të veshur me rrobet e babait të saj për të ndaluar zogjtë të hanin farat që kishte mbjellë në kopshtin e saj.

“Një punonjës që e pa në kopsht kujtoi se ishte realisht babai im. E kishte përshëndetur madje, por ishte vetëm një dordolec. Histori për të qeshur apo jo?”, kujton Ayano.

Që prej atëherë, ajo nuk është ndalur së krijuar dordolecë me përmasa reale, të bëra me shkopinj druri, të mbushura me copa gazetash, pëlhura elastike për lëkurën dhe thurrje leshi për flokët. Zanatçijes, të bërë të famshme tashmë, i nevojiten vetëm 3 ditë për të bërë një dordolec me përmasat e një të rrituri, si ato që gjenden sot anembanë fshatit.

Sekreti që i bën dordolecët të duken si qenie njerëzore? Aplikimi i ngjyrës rozë në buzë dhe në faqe, përmes një furçeje “make up”-i, zbulon Ayano.

Në një shkollë të fshatit, ajo ka vendosur 12 dordolecë me ngjyra nëpër banka, të pozicionuar sikur të ishin një klasë e gjallëruar e hedhur mbi librat e tyre. Shkolla u mbyll 7 vite më parë, pasi nuk kishte mbetur më asnjë për të nxënë apo t’u mësur.

“Tashmë nuk ka më fëmijë, më i riu ndër ne këtu është 55 vjeç”, tha ajo. Poshtë rrugës, një “familje” dordolecësh gjenden përpara një dyqani ushqimor të braktisur, ndërsa një tjetër i veshur si një fermer i vjetër duket sikur blen diçka nga xhami i dyqanit.

Edhe pranë stacionit të autobusëve shihet një tjetër grup dorcolecësh, me “babain” që tërheq një karrocë plot me “fëmijë”.

Top Channel