Zërat që kërkojnë më shumë roje në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian sa vjen e shtohen.

“Agjencia europiane për mbrojtjen e kufirit ‘Frontex’ duhet të zgjerohet, por vendet anëtare e frenojnë punën”, thotë “Deutsche Welle”.

Në takimin e fundit para zgjedhjeve europiane të majit, Parlamenti Europian bëri një bilanc të kthjellët mbi gjendjen e emigrantëve dhe refugjatëve, që vërshuan 4 vite më parë në BE.

“Situata për shumë prej tyre është ende tragjike”, tha deputetja britanike Julie Ward, e cila punon vet me organizatat humanitare në Francë. “Ata jetojnë në kushte çnjerëzore”, shtoi ajo.

“Në Greqi ka protesta të popullsisë, e cila nuk mundet ose nuk do të marrë njerëz të tjerë”, deklaroi edhe deputeti grek, Notis Marias, nga fraksioni nacional-konservator. Organizatat humanitare dhe Kombet e Bashkuara po e kritikojnë kohën e gjatë të pritjes në kampet greke të refugjatëve.

Njëkohësisht, numri i njerëzve që vijnë në Greqi nga toka është shtuar, sipas Marias. Këtu i erdhi radha deputetes konservatore, Roberta Metsola, të theksonte pjesë në një raport zytar të Parlamentit, që mbrojtja e përbashkët e kufijve të jashtëm, e diskutuar dhe vendosur disa herë nga BE, nuk është realizuar.

“Vetëm nëse kufijtë e jashtëm mbrohen mirë, mund të lihen të hapur ata të brendshëm”, ka thënë ajo. Në kufijtë e brendshëm, disa vende anëtare kanë vite që bëjnë kontrolle të papritura, megjithëse kjo duhet të ndodhte vetëm në raste të veçanta.

Parlamenti i kërkoi Komisionit të BE-së që të ndryshojë rregullat e ndërhyrjes së kufitarëve të “Frontex”-it dhe të vendosë më shumë personel. Ligjet përkatëse rregulluese u vendosën me shumicë votash.

Top Channel