Manchester City do të përballet me Tottenhamin për të tretën herë brenda këtij muaji, kur të shtunën në mesditë të duelojnë për javën e 35-të të kampionatit anglez, Premier League.

Kjo ndeshje vjen ende pa u shuar kujtimet e supersfidës që përfundoi me rezultatin 4-3 në mesjavë, për çerekfinalet e Champions League, ku u regjistrua “pokeri” më i shpejtë në historinë e turneut me shënimin e 4 golave brenda 11 minutave të para.

Por, pavarësisht se përmbysi rezultatin në ndeshjen e kthimit, City u eliminua nga kompeticioni më prestigjioz kontinental për shkak të golit në fushë të huaj. Tashmë e gjithë vëmendja dhe përpjekjet do të përqëndrohen për vijimin e ecurisë prej 7 fitoresh në “Etihad” për Premier League.

Humori therës britanik nuk mund të mungonte në këtë pragsfide, duke ditur çfarë ndodhi në minutat e fundit të ndeshjes së Championsit me futjen e teknologjisë së videoarbitrimit (VAR) në veprim.

Në rrugët e Manchesterit janë shfaqur këtë të premte disa njoftime në tabelat elektronike, të cilat u bëjnë të ditur tifozëve se ndeshja luhet të shtunën më 20 prill, në orën 12:30 me atë lokale. Dashamirësit që do të duan ta ndjekin nga shkallët e stadiumit ftohen të marrin tramin për të shkuar në “Etihad”, ose – siç paralajmërohen,- rruga më e shpejtë është përmes “VAR”-it.

Ishte pikërisht videoarbitrimi, që iu mohoi “Citizens” një gol në minutën e 93-të, i cili do të ndryshonte fatet e takimit dhe do t’i çonte ata në gjysmëfinalet e Championsit, e jo Tottenhamin.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel