Në Korenë e Veriut, vendin e izoluar komunist, lajmet nga përditshmëria e të cilit janë të rralla, dasmat në mesin e anëtarëve të elitës së vendit ndjekin një rutinë të mirëpërcaktuar.

Dita nis me një seancë fotosh dhe videosh, që realizohen zakonisht në njërin prej parqeve të kryeqytetit. Në pranverë dhe verë, zona të caktuara kthehen në ambiente feste për dasmorët dhe kremtimet zgjasin përgjatë të gjithë ditës.

Por, përgjithësisht, festimet njëditore përmbyllen me një drekë ose darkë me familjen dhe miqtë e ngushtë.

Në Korenë e Jugut, shumë ndjekin kodin perëndimor të veshjes për ceremoninë e martesës. Por koreano-veriorët mbajnë kostume tradicionale që mund të jenë me ngjyra, ose edhe kur janë të bardha thyhen me elemente dekorative në ngjyrë të kuqe e të verdhë të fortë, apo rozë.

Rituali e kërkon që në një tryezë të vendoset edhe një pulë e gjallë, e mbështjellë me pëlhura blu e të kuqe. Ndërkohë, nuk bën të shkosh në altar më 16 shkurt dhe 15 prill, sepse janë datat e lindjeve të liderëve Kim Il-sung dhe Kim Jong-il.

Top Channel