Raporti i parë i misionit të OSBE-së, përpara zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, evidenton polarizimin e thellë dhe mosbesimin mes partive politike, që mund të ndikojnë negativisht – sipas hartuesve të tij – në procesin e votimit.

Vendimi për djegien e mandatave nga opozita veçohet si akti që ka nxitur protestat gati periodike, duke minuar edhe mundësitë për dialogun ndërpartiak. Në kushte të tilla, këto zgjedhje – sipas Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, – projektohen në një kontekst të pashembullt politik.

Përfaqësuesit e OSBE/ODIHR-it ishin në Shqipëri përpara pak javësh, e gjatë kësaj ndalese kërkuan të njohin realitetin parazgjedhor dhe përgatitjet zgjedhore, duke zhvilluar në funksion të këtij synimi edhe takime me krerë të shumicës dhe opozitës.

Në përfundimet e qëndrimit të tyre treditor nënvizohet dënimi i mungesës së masave të vendosura kundër fenomenit të shitblerjes së votave. Ndër të tjera, në raport thuhet se një pjesë e kërkesave që i janë parashtruar qeverisë shqiptare për t’u përmbushur, që prej viteve 2015-2017, mbeten ende të paplotësuara.

Vëmendje i kushtohet edhe debateve mbi Reformën Zgjedhore, konsensusin mbi të cilën politika nuk ka arritur ta gjejë. Konkluzionet janë se, për një proces zgjedhor transparent do të kërkohet prania e 22 vëzhguesve afatgjatë për të ndjekur votimet në të gjithë vendin, si dhe 250 monituesve afatshkurtër për të mbikëqyrur procedurat e ditës së zgjedhjeve, përfshirë votimin, numërimin e votave dhe tabulimin e rezultateve.

Top Channel