Mbrëmjen e sotme do të luhen ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale të kupës Europa League. Napoli-Arsenal është një nga ndeshjet më të rëndësishme të mbrëmjes.

Pavarësisht humbjes 2-0 në ndeshjen e parë në “Emirates”, napolitanët në “San Paoli” besojnë në një mrekulli për të përmbysur gjithçka, duke u nisur edhe nga fakti se skuadra e Unai Emeri ka një rekord negativ në ndeshjet në transfertë në këtë veprimtari europiane, pasi u mund me Bate Borisov dhe Renen.

Gjithsesi avantazhi i dy golave i jep topçinjve një mundësi të mirë për të kaluar për të dytin vit rradhazi në në gjysmëfinalet e Europa League nga ana tjetër Napoli duke qenë se humbi luftën me Juventusin sa i përket titullit kampion, të vetmin trofe që sheh si për të shpëtuar sezonin është pikërisht kjo kupë europiane.

Një tjetër skuadër angleze është shumë pranë katërshes së së gjysmëfinaleve të Europa Leagues. Chelsea pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë ndaj Sllavias së Pragës, ka shumë mundësi që të kalojë më tej mbrëmjen e sotme në “Stemford Bridxh”. Skuadra ceke ka qenë deri më tani surpriza e kupave europiane, pasi në raundin paraardhës eliminoi pesë herë fituesit e kësaj kupe, Seviljen me rezultatin 4-3.

Gjithsesi Chelsea duke lënë mënjanë humbjen me Liverpulin fundjavën e shkuara, po kalon një formë shumë të mirë në kampionat dhe është padyshim pretendentja kryesore për të kaluar më tej në ndeshjen e kësaj mbrëmje. Në përballjen spanjolle, Valencia ja doli me dy gola në fundin e ndeshjes së parë për të siguruar fitoren 3-1 ndaj Vilarealit, duke patur një avantazh të madh për ndeshjen e sotme që të kalojë më tej. Statistikat tregojnë se skuadra e Villarealit ka fituar vetëm 2 nga 13 ndeshjet në transfertë që ka luajtur.

Ndërkohë në ndeshjen tjetër mes Eintrahtit të Frankfurtit dhe Benfikës gjithçka ka qenë e çuditshme në ndeshjen e parë, ku një karton i kuq për Eintrahtin, i dha mundësinë Benfikës të shënojë 3 gola për 11 minuta, megjithatë janë pikërisht dy golat në transfertë që i mbajnë me shpresë gjermanët për të besuar tek kualifikimi.

Ndeshjet e dyta të fazës çerekfinale të kupës Europa League do të zhvillohen të gjitha në orën 21:00 dhe të transmetohen drejtpërdrejtë në paketën Supersport të platformës Digitalb.

Top Channel