Çerekfinalet e Champions League nxorën në pah surpriza të bukura në futbollin europian, duke vlerësuar Ajaxin, Barcelonën, Liverpoolin dhe Tottenhamin si 4 skuadrat më të forta të kontinentit.

Katër ekipe që thuajse kurrë nuk bëjnë llogari, 4 formacione historike që kurajon e kanë në ADN-në e tyre, e që arritën të lënë jashtë në një mënyrë apo një tjetër trajnerin që ka prodhuar më shumë gola në 10 vitet e fundit, Pep Guardiolën.

Barcelona-Liverpool ishte një gjysmëfinale e parashikueshme, ndërsa tjetra kundër çdo parashikimi. Ndeshjet e fundit provokuan një minitërmet në futbollin kontinental, e pavarësisht sesi do të shkojë fati deri më 1 qershor në stadiumin “Wanda Metropolitano”, fituesi do të krenohet me lojën e bukur.

Jurgen Klopp, Erik Ten Hag, Mauricio Pochettino dhe Ernesto Valverde do të synojnë të zbarkojnë në sfidën e fundit të turneut, aty ku nuk ka më parashikime.

Ajax nuk luante një gjysmëfinale të këtyre përmasave prej mbi 20 vitesh, kur asokohe eliminohej në vitin 1997 nga Juventusi i Marcelo Lippit, por si për ironi të fatit, tani holandezët mundën të njëjtin ekip dhe e bënë me një futboll të padëshifrueshëm.

Tottenhami mungonte në një gjysmëfinale prej 57 vitesh, por do të kërkojë të mos e mbyllë me kaq përrallën europiane. Në të njëjtin ishull, futbolli vertikal i Jurgen Kloppit e projektoi Liverpoolin sërish në elitën e kontinentit, me një tridhëmbësh sulmues si Salah-Firmino-Mané, që nuk ka rivalë në Europë.

Barcelona është thuajse çdo sezon favorite, por këtë vit theu një tabu, me Lionel Messin që nuk shënonte në çerekfinale prej 5 vitesh, e shpreson ta ndalë vrullin vetëm pas finales në Madrid.

Top Channel