Pas “Bulevardit të ri”, një tjetër bulevard po i shtohet kryeqytetit, por në periferi të tij. Bëhet fjalë për bulevardin e Kasharit, që është drejt përfundimit e që pritet t’i japë zhvillim të gjithë zonës.

“Jemi duke folur për një zonë që ka një dendësi të madhe banorësh. Këtu jetojnë afro 80 mijë banorë, ndaj nuk mund të bëjmë dot një rrugë të ngushtë kur dendësia e banorëve është kaq e lartë. Kështu që u detyruam të projektonim një bulevard me të gjithë elementët e standardet e nevojshme”, tha Erind Bejko, drejtori i Përgjithshëm në Bashki.

Bulevardi i Kasharit i ka të gjithë parametrat e të qenit i tillë. Ai do të ketë dy korsi për secilin kah lëvizjeje, korsi biçikletash dhe rrugë për këmbësorët. Por, ndër të tjera, bulevardi i Kasharit që lidhet me “Unazën e re” do të reduktojë trafikun e rënduar që krijohet në zonë.

“Këtu kemi një tjetër bulevard me përmasa moderne, ku janë të përcaktuara zonat për gjelbërim, trotuaret, korsia e biçikletave dhe itinerari ku do të lëvizin makinat. Jemi në zonën e Kasharit, në rrugën që lidh dy emra shumë të njohur, ‘Migjenin’ kolos të letrave dhe ‘Kadri Roshin’ kolos të skenës, por nuk mbaron këtu. Me këtë bulevard lidhet edhe rruga ‘Tre dëshmorët’, ajo që në gjuhën e përditshme njihet si rruga e Yzberishtit, ku kemi një zgjerim të rrugës dhe rikualifikim të trotuareve”, tha më tej Erind Bejko.

Si për çdo projekt të madh, e sidomos në zona ku është ndërtuar pa kriter, pa pasur parasysh planet e zhvillimit të tyre, edhe këtu do të ketë prishje objektesh që janë në proces legalizimi. Bëhet fjalë për disa objekte që dalin në mes të bulevardit, për të cilat pritet që zyra e Kadastrës tashmë të japë përgjigje nëse do të shpronësohen ose jo.

Top Channel