Nëntë meshkuj ndër 10 në Itali janë të stresuar. Këtë tregon studimi i fundit i realizuar në fqinjin tonë përtej Adriatikut.

Ankth, dhimbje koke, dhimbje muskulare, probleme të gjumit apo gastrointestinale, të gjitha këto lidhen me stresin sipas hartuesve të studimit, që i kanë diktuar shqetësime të tilla te një numër tejet i madh meshkujsh.

Ata që vuajnë nga nervat e tendosura duket se nuk janë të paktë. Shkaku kryesor i stresit është puna, megjithatë nuk mbeten shumë pas, as arsye të tjera si ndryshimi i stilit të jetesës dhe roli i burrit brenda familjes.

Bërthama familjare, në fakt, renditet lart në klasifikimin e faktorëve përgjegjes për stresin te të rinjtë nga 18 deri në 24 vjeç, që nervozohen prej prindërve, dhe nga baballarët sidomos mbi 55 vjeç, te të cilët shtohen shqetësimet nga fëmijët që rriten.

“Meshkujt dhe femrat reagojnë ndryshe ndaj stresit”, thonë specialistët. Por te meshkujt, të cilët në përgjithësi janë më të rezervuar edhe në shprehjen e shqetësimit, pasojat mund të jenë më të rënda. Kura për të dyja palët, ndërkohë, mbetet e njëjta: nevojitet mendim, qetësi dhe kohë.

Top Channel