“ATP Montecarlo 2019”, kalon Djokoviç, eliminohet Wawrinka

17/04/2019 13:22

Novak Djokoviç vuan, por arrin të kualifikohet për në raundin e tretë të turneut “Masters” të Montecarlos.

Numri një i botës mundi gjermanin Kohlschreiber 2-1, duke regjistruar fitoren e tij të 850. Tenisti serb e mbylli setin e parë në favorin e tij, duke e fituar 6-3, por Kohlschreiber iu përgjigj në të dytin që e fitoi 6-4, duke e çuar sfidën në setin e fundit, ku ishte Djokoviç ai që bëri më mirë, pasi e mbylli atë 6-4 dhe krejt ndeshjen 2-1, pas dy orë e 36 minutave lojë.

Surprizat e ditës në këtë turne i dhuruan Marin Çiliç dhe Stanislav Wawrinka, që i thanë lamtumirën “Master”-it. Kroati Çiliç u mund në raundin e dytë nga Guido Pella, me rezultatin 2-1. Argjentinasi fitoi setin e parë 6-3, por Çiliç barazoi rezultatin duke fituar të dytin me “tie break”, 7-6. Në setin e fundit, Pella dominoi mbi Çiliç duke e fituar atë 6-1 dhe krejt sfidën 2-1.

Wawrinka u befasua nga Marco Cecchinato. Zvicerani e nisi në mënyrë perfekte sfidën, teksa fitoi setin e parë 6-0, por italiani nuk u dorëzua dhe në fund bëri përmbysjen, duke fituar setin e dytë 7-5 dhe atë final 6-3, për të fituar krejt sfidën me rezultatin 2-1.

Fitore në raundin e dytë të turneut “Masters” të Monacos shënuan edhe Çoriç e Sonego, që mundën respektivisht spanjollin Munar dhe rusin Khachanov.

Top Channel