Pas rikonstruksionit të konvikteve të studentëve, Bashkia e Tiranës përmbush një tjetër premtim dhe detyrim që përcaktohet nga Pakti për Universitetin.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Bashkia e Tiranës prezantoi sot modelin që do ketë Karta e Studentit dhe që do të nisë të shpërndahet shumë shpejt për studentët. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës e përmbushi në një kohë rekord këtë detyrim.

Ai shtoi se Karta e Studentit ishte një detyrim i vetë universiteteve, por kjo nuk u bë prej tyre, çka detyroi bashkinë që ta merrte në dorë procesin. Sipas Paktit për Universitetin, tashmë këtë detyrim e mori Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës për pjesën e studentëve që studiojnë në kryeqytet.

“Bashkia e ka patur mundësinë t’i janë dum kësaj çështjeje, por me autonominë e universiteteve, kjo detyrë i kaloi universiteteve. Kur universitetet nuk e bënë, atëherë thamë po e bën bashkia. Secila bashki, sipas shërbimeve që ofron, do të bëjë kartën. Sot prezantojmë dy modelet e para të kartës dhe do donim shumë që Brenda muajit maj, secili prej jush, të kishte Kartën e Studentit. Nëse shkoni në një galeri apo kinema, ulja përfitohet menjëherë duke skanuar kartën. Nëse s’doni ta mbani me vete kartën, kemi edhe një version elektronik të saj, nëpërmjet telefonit”, tha Veliaj.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini deklaroi se karta e studentit është një premtim i bërë që prej një dekade, por që nuk është përmbushur pasi universitetet nuk kanë kryer detyrimet e tyre. Ajo theksoi se tashmë, falë bashkëpunimit me Bashkinë e Tiranës, Karta e Studentit do të ofrojë një sërë lehtësirash për studentët, duke filluar nga blerjet me çmime më të lira e deri tek disa shërbime nga institucionet.

“Është një premtim i para një dekade. Ka qenë edhe një kërkesë në ligjin e arsimit të lartë që nga viti 2007. Ekziston në ligjin e 2015. Në mënyrë që karta të realizohej do të duhej të kishte një bashkëpunim më të mirë mes universiteteve dhe institucioneve, për të pasur mundësi për të bërë marrëveshjet. Karta nuk përfshin vetëm uljet që merren nga kompanitë, por edhe shërbimet që përfitohen. Deri tani universitetet nuk kanë qenë shumë aktive në pjesën e tyre. Kemi marrë përsipër që Ministria bashkë me Bashkinë e Tiranës të realizojë kartën e studentit”, tha ministrja Shahini.

Top Channel