Ish kapiteni, Alessandro Del Piero, ish mesfushori legjendar Andrea Pirlo dhe ish trajneri bardhezi Fabio Capello, komentuan humbjen dhe eliminimin e Juventusit përballë Ajaxit, në Ligën e Kampionëve.

Thuajse të tre pranuan se Juventusi e nisi mirë takimin, por nuk arriti të ruajë të njëjtin intensitet si Ajaxi, duke treguar shenja të rënies fizike, me kalimin e minutave.

“Juventusi ka pasur shumë pak armë në dispozicion, në krahasim me ndeshjen ndaj Atleticos. mënyra se si Ajaxi u vendos dhe mori kontrollin e topit, bëri që bardhezinjtë të lodheshin shumë. Munguan edhe depërtimet e Douglas Costës, që të japin zemër në të tilla takime”, tha Del Piero pas takimit.

“Juventusi ka bërë mjaft mirë në pjesën e parë, ose më saktë deri në momentin e golit të barazimit nga Ajaxi. Më pas skuadra nuk ishte më e bashkuar dhe Bernardeschi e Pjaniç ishin dukshëm të rënë fizikisht, përballë furisë së holandezëve”, tha Andrea Pirlo.

“Juventusi ka luajtur mjaft mirë në pjesën e parë, duke iu përgjigjur lojës “një kundër një” të Ajaxit, por kjo duket se i kushtoi shtrenjtë, pasi bardhezinjtë nuk mund të përballonin të njëjtën ngarkesë fizike si holandezët, ndaj u panë të “shuar” në pjesën e dytë”, tha ish trajneri i Juventusit, Fabio Capello.

Top Channel