Milani do të rikthehet në fushë në ndeshjen ndaj Parmës, me synimin për të marrë 3 pikë të vyera për betejën e kualifikimit në Champions League, e në ndalesën e radhës me gjasë do të ketë titullarë dy elementë të rëndësishëm në dy skaje të fushës.

Donnarumma në portë dhe Paqueta në sulm do të jenë elementët e shtuar në skemat e trajnerit Gattuso, dy lojtarë që kanë lënë infermierinë dhe janë rikuperuar pas dëmtimeve të pësuara në ndeshjen me Udinesen, dy javë më parë.

Pasi mungoi ndaj Juventusit dhe Lazios, portieri Donnarumma do të jetë në portë në stadiumin “Tardini”, pasi mjekët kanë dhënë “OK”-in se dëmtimi muskular ka kaluar. U përmirësuan edhe kushtet fizike të Paqueta, pas problemeve me kaviljen, por nuk dihet nëse trajneri do të vendosë ta hedhë në fushë nga minuta e parë.

Në dispozicion janë gjithashtu edhe Romagnoli dhe Calabria, çka shtojnë optimizmin për 3 pikët ndaj Parmës.

Ndërkohë, tensioni në ndeshjen e zhvilluar mes Milanit dhe Lazios u analizua nga Komisioni i Disiplinës por nuk solli skualifikime. Janë gjobitur 5 futbollistë për grindjen në ndeshjen e së shtunës, ndërsa sanksioneve financiare nuk i shpëtoi as drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare. Për shqiptarin do të jetë pezullim deri më 30 prill.

Top Channel