Sasia e kokainës së kapur nga autoritetet malteze, që kishin për destinacion Shqipërinë dhe Greqinë, ka nxjerrë ish-deputetin e Partisë Demokratike, Gent Strazimiri në një reagim ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Ndërkohë që ‘zbuloje’ dhe ‘parandaloje’ atë ‘planin e opozitës’ për të ‘sulmuar institucionet’, dikush po të realizonte planin për të sulmuar Shqipërinë me breshëri kokaine të pastër! 91 kg kokainë me vlerë 10.3 milionë euro me destinacion Shqipërinë! Domethënë 1 ‘Rinas’ kokainë 3 herë rresht, o Llesh! Po nga i njëjti port i Maltës, drejt të njëjtit port të Shqipërisë!”, shkruan në rrjetet sociale Strazimiri.

  Maltë, kapen 91.2 kg kokainë. Dy konteinerë, destinacion Shqipërinë

Më tej, ai ngre pyetjet se kush e pengon ministrin e Brendshëm të gjejë destinacionin, pritësin dhe porositësin?

“Që ‘Rinasi’ (megjithëse i realizuar po ashtu 3 herë në të njëjtën derë, në të njëjtën orë, nga i njëjti ‘organizator’, për më tepër ‘në kërkim’) ka vështirësi të zbulohet e të parandalohet, po e pranojmë, aq më tepër kur ka një ‘kinez’ në mes. Po destinatarin, pritësin, porositësin e ‘Rinasit’ me kokainë, cili ‘kinez’ të pengon ta gjesh?”, pyet ish-deputeti demokrat.

Sipas tij, ministri Lleshaj nuk e ka edhe aq të gjerë rrethin e “të dyshuarve”, duke qenë se – siç shkruan Strazimiri, – “që të japësh garanci për kokainë, për më tepër në përmasa ‘Rinasi’, ‘mikun’ duhet ta kesh shumë, shumë, shumë lart në ‘shtet’… E sa më lart të ngjitesh aq më kollaj e ke t’i vësh gishtin, sidomos në ‘shtet’. Apo s’po gjen ende një ‘kinez’ atje lart në…‘shtet’?!”, përfundon statusin e tij Strazimiri.

Top Channel