“Beteja” mes Partisë Demokratike dhe Policisë së Shtetit është zhvendosur nga sheshi i protestës në dyert e Prokurorisë së Tiranës. Këtë të hënë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi paraqiti prova të reja pranë këtij organi që sipas tij dëshmojnë dhunën e policisë ndaj protestuesve të opozitës.

“Ka 40 qytetarë që janë në burg pa asnjë provë, për shkak se kanë ushtruar të drejtën e tyre legjitime të protestës, nuk ka asnjë pamje filmike që kanë kryer ndonjë veprim të dhunshëm, ndërkohë që nuk ka asnjë hetim dhe asnjë dënim ndaj askujt që ka shkelur ligjin dhe ka dhunuar qytetarët. Apeli im është për gjyqtarët dhe prokurorët, nuk kanë për të kaluar ventingut duke i shërbyer në mënyrë kriminale qeverisë. Qytetarët nuk do të falin dhe do të trajtojnë çdo prokuror dhe çdo gjyqtar që dhunon të drejtat e tyre njëlloj si banda që qeveris sot vendin”, tha Bardhi.

Top Channel: Z. Bardhi a i druheni një arrestimi të mundshëm? Pak ditë më parë Ministri i Brendshëm paralajmëroi akuza të forta për organizatorët, të cilët sipas tij kanë cënuar rendin kushtetues dhe kanë sulmuar organet kushtetuese?

“Ministri i Brendshëm është një mbetje e kohës së komunizmit që quan të drejtën për protestë të qytetarëve si një puç kushtetues. Të protestosh është një e drejtë legjitime në demokraci. Vetëm për një mbetje të komunizmit si Sandër Lleshaj, protesta është një puç kushtetues. Personalisht, as nuk trembem, as nuk jam trembur. Do të vazhdoj të ushtroj detyrën time si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike. Frika në Shqipëri për të protestuar është vrarë me rënien e regjimit komunist. Do të duhet thjesht t’i thuhet Ministrit të Brendshëm që komunizmi ka përfunduar përpara 30 vitesh”, u përgjigj ai.

Top Channel