Historia në flakë. Rrëzohet kulla e Katedrales 850-vjeçare të Parisit (Foto)

15/04/2019 20:34

Kryeqyteti francez Paris ka marrë një goditje në zemër të tij, kur nga një zjarr i papritur u shkatërrua çatia madhështore e katedrales Notre Dame.

Zjarri u shfaq gjatë orëve të pasdites së të hënës dhe brenda një kohe të shkurtër njerëzit u bënë dëshmitarë të shkatërrimit të pjesës kulmore, 90 metra të lartë.

Pamjet e transmetuara nga mediat botërore u shoqëruan edhe me informacionin se flakët erdhën nga shkaqe aksidentale, ndërkohë që në katedralen 850-vjeçare të rrethuar nga skela gjigande, po kryheshin punime për restaurimin e saj.

Presidenti franez Emmanuel Macron, me të marrë lajmin anuloi axhendën dhe deklaratën e tij të parë për këtë ngjarje e bëri përmes rrjeteve sociale, ku shprehte trishtimin e thellë kur shihte se si digjej kjo pjesë e katedrales.

Operacioni për shuarjen e flakëve ndërkohë, siç raportuan mediat, u përqendrua në pjesën e poshtme, ndërsa shumë zjarrfikës u ngjitën në skelë për të luftuar me flakët.

Katedralja e Notre Damit, të cilës i është kushtuar edhe një roman i shkrimtarit Viktor Hygo, i përshtatur më pas edhe si film dhe mjuzikëll, është një ndërtesë e stilit gotik që çdo vit vizitohet nga 30 milionë turistë. Para syve të tyre këtë të hënë është shembur një nga kulmet e krenarisë së Francës, por edhe të botës.

FOTO GALERI
2/19

Top Channel