Kosova në shënjestrën ruse: “10 mln euro në vit për të ndikuar median dhe politikën”

13/04/2019 16:37

Rusia ka një axhendë përmes së cilës tenton të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë, dhe ashtu si në të gjithë rajonin e Ballkanit, po investon për prishjen e imazhit të vendit deklaroi kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj nënvizoi tendencat e Moskës për për përfshirjen e Kosovës në procese, të cilat do ta nxirrnin vendin, siç ka thënë ai, “jashtë binarëve”. Në forma jo të drejtpërdrejta, thotë shefi i ekzekutivit kosovar, Rusia investon para në idenë për ta paraqitur Kosovën “në një status-quo regresive”.

Ndërkohë këshilltari i tij, Halil Matoshi, duke folur për “Radion Europa e Lirë”, tha se sipas të dhënave dhe analizave të ndryshme, del se politika e Rusisë vazhdon të tentojë që t’i minojë proceset integruese të vendeve të rajonit në NATO dhe BE, përmes pranisë në këto vende, përfshirë edhe Zyrën e Rusisë në Kosovë.

“Sipas shumë të dhënave dhe analizave të ndryshme, del se në Malin e Zi, Maqedoni, Shqipëri, por edhe Zyra ruse në Kosovë, janë të angazhuara që ta shtrijnë këtë ndikim përmes krijimit të pengesave te këto shtete të lidhjes me NATO-n, përkatësisht, me Bashkimin Europian.

Për këtë, ekziston një bazë e quajtur ‘humanitare’, e cila sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, nuk është një qendër humanitare në Nish (Serbi), por është një qendër e spiunazhit rus”, thekson Matoshaj.

Ai shton se ekzistojnë të dhëna se ambasadat ruse shpenzojnë nga 10 milionë euro në vit dhe sipas tij, ato janë shpenzime për të ushtruar ndikim në politikën dhe mediat e rajonit.

Top Channel