Shkencëtarët po punojnë mbi një teknikë të re, përmes së cilës të gjurmohen mbetje plastike në oqean nga hapësira.

Nisma konsiderohet jashtëzakonisht sfiduese, sidomos për faktin se pjesë të caktuara të mbetjeve të këtij lloji janë më të vogla sesa objektet me madhësi minimale që mund të dallojnë satelitët.

Por, ideja është të shihet reflektimi i tyre në ujë dhe eksperimentet e bëra deri më tani kanë rezultuar të suksesshme.

“Ti mund të mos e shohësh vet një shishe plastike duke pluskuar, por grumbullimet e këtij materiali mund të gjurmohen”, tha për BBC-në, ekspertja Lauren Biermann.

Vëzhguesit po punojnë me satelitët “Sentinel-2” të BE-së, dy instrumentet orbitues multispektralë të lëshuar në vitet 2015 dhe 2017, e të drejtuar nga Agjencia Europiane e Hapësirës.

Misioni kryesor i tyre është ta zhvillojnë në mënyrë të vazhduar hartën e sipërfaqeve tokësore të planetit tonë, por në këtë proces kapin gjithashtu edhe pamje të vijave bregdetare.

Kjo është praktikisht fokus-zona e mundësive për ata që duan të monitorojnë shkarkimin e plastikës në oqean, sepse shumica e 8 milionë tonëve të saj që përfundojnë çdo vit në det në mbarë globin, e bëjnë këtë përmes lumenjve dhe grykëderdhjeve të tyre.

Për Mbretërinë e Bashkuar, satelitët do ta monitorojnë këtë zonë çdo dy ditë.

Top Channel