Rama, takim me kryeministrin kinez. Kërkon hyrjen e produkteve bujqësore në tregun kinez

12/04/2019 11:40

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim bilateral me Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, Li Keqiang, gjatë zhvillimit të samitit 16+1 mes vendeve të Europës Juglindore dhe Kinës.

Gjatë këtij takimi, kryeministri Edi Rama i kërkoi homologut të tij përshpejtimin e procedurave që do të lejonin hyrjen e disa produkteve ushqimore në tregun kinez.

Nga ana tjetër, Kryeministri Rama duke iu referuar 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, i kërkoi Kryeministrit Li edhe heqjen e ndërsjellët të vizave mes dy vendeve, çka do të nxiste jo vetëm rritjen e numrit të turistëve kineze në Shqipëri, por edhe rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Nga ana e tij, Kryeministri Li Keqiang konfirmoi heqjen e çdo barriere për importin e verës, mjaltit dhe vajit të ullirit shqiptar. Gjithashtu, kreu i qeverise kineze premtoi ndërmarrjen e hapave të nevojshme për heqjen e vizave si dhe njohjen e ndërsjellët të diplomave universitare.

Top Channel