Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli thotë se Gjermania zyrtare e mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën.

Njoftimin, ai e bëri pas takimit të zhvilluar në Varshavë me homologun gjerman, Heiko Mass, ku është diskutuar edhe mbështetja e Gjermanisë për procesin e dialogut me Serbinë dhe arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshjeje mes të dyja vendeve.

“Ministri Mass konfirmoi se Gjermania e mbështet plotësisht dhe me të gjithë mekanizmat e saj liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është stërzgjatur nga institucionet e Bashkimit Europian. Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohen regjimit të vizave në zonën “Schengen”.

Vendet që kanë shprehur më së shumti hezitimin për liberalizimin e vizave për Kosovën janë pikërisht ato aleate, të cilat përveçse e kanë njohur ndër të parat Pavarësinë, e kanë ndihmuar vendin edhe në procesin e integrimit europian.

Top Channel