Komedia spanjolle “Perfect Life” rrëmbeu çmimin e parë në Festivalin e Serialeve në Cannes (Kanë).

Duke prekur tema të forta të lidhura me femrat, seriali spanjoll u vlerësua sidomos për aftësinë e trajtimit të subjekteve të tilla, përmes një prekjeje humori, duke ngërthyer bashkë në të njëjtën kohë patosin, emocionin, apo edhe dramat, nga ato që të ndryshojnë jetën.

“Jam shumë e lumtur që ndodhem këtu. Ky serial i vendos femrat në qendër të historisë, trajton shumë gjëra që na shqetësojnë dhe shpresoj që publiku ta shijojë e të argëtohet me të”, tha Leticia Dolera, aktore.

Serialin e krijoi Leticia Dolera, një prej fitueseve të disa çmimeve të ndara nga juria me kryetar Baran bo Odar.

Trofenë e interpretimit më të mirë e rrëmbeu Reshef Levi, nga Izraeli, për “Nehaman”, ndërsa skenaristët më të mirë u shpallën Bert Van Dael dhe Sanne Nuyens, nga Belgjika, për “The Twelve”.

Ky ishte edicioni i dytë i “Canneseries”, festivali ndërkombëtar i kushtuar serialeve televizive nga e gjithë bota. Edicioni i tij i parë u mbajt vitin e kaluar, në datën 4 prill.

Top Channel