Nga UEFA nuk vijnë lajme të mira për Milanin, sa i përket “Fair Play”-t financiar.

Dhoma Investigative e Kontrollit Financiar për Klube, në UEFA, vendosi që të çojë klubin kuqezi për gjykim në Dhomën Arbitrare, pasi Milani nuk arriti të respektojë rregullin e “Fair Play”-t financiar për 3-vjeçarin 2016-2018; e nuk arriti të sistemojë bilancin financiar në sezonin aktual, bilanc që rezultoi me humbje prej 126 milionë eurosh.

Ky vendim i UEFA-s, që u publikua në faqen e saj të internetit, nuk ka të bëjë aspak me vendimin e marrë nga Dhoma e Arbitrazhit në dhjetor të vitit 2018 për “Fair Play”-n financiar të periudhës 2015-2017.

Sipas këtij të fundit, Milani u dënua me 12 milionë euro gjobë dhe me kufizim të numrit të lojtarëve për kompeticionet e UEFA-s, nga 25 në 21 për dy sezone, vendim për të cilin kuqezinjtë kanë bërë apel në CAS-in e Lozanës.

Gjithsesi, duket se ky vendim i UEFA-s nuk do të ketë ndikim në lëvizjet e Milanit në merkato, në muajt e verës, duke qenë se dërgimi për gjykim në Dhomën Arbitrare të Kontrollit Financiar të Klubeve kërkon kohën e saj teknike, pa harruar këtu edhe mundësinë e apelimit.

Top Channel