Admir Nikaj apo Admir Murataj është grabitësi i vrarë të martën pas grabitjes në aeroportin e Rinasit.

Viktima është njohur nga bashkëshortja dhe familjarët e tij, të cilët mëngjesin e kësaj të mërkure ishin pranë morgut të Tiranës, ku po bëhet ekspertiza. Admir Murataj me banim në Prezë është nga Tropoja dhe prej disa vitesh ishte në kërkim për disa nga grabitjet më të bujshme të parave në Shqipëri. Por, Murataj, i cili gjatë jetës së tij ka përdorur edhe identitete të rreme, kërkohej edhe nga drejtësia greke, si i arratisur nga burgu i Trikallës 6 vjet më parë, ku ishte dënuar për vjedhje bankash me armë.

Pas arratisjes, u kthye në Shqipëri ku nisi një seri grabitjesh që kishin si objektiv bankat dhe transportimin e parave të tyre. Vjedhja e parë ka ndodhur në 3 dhjetor të 2015, në aksin rrugor Qafë Kashar-Rinas, në afësi të kryqëzimit të fshatrave Bërxullë dhe Domje, ku u vodhën paratë e një banke të nivelit të dytë.

Vjedhja e dytë ndodhi më 9 shkurt 2017, ku iu zu pritë një blindi që transportonte para’ në Rinas. Natyra e krimeve për të cilat ishte dënuar dhe mbi të gjitha metodat e vjedhjes që përdoreshin nga Murataj më pas në grabitje të cilave deri këtë të martë arriti t’u shpëtonte, e kishin bërë atë një individ me rrezikshmëri të lartë. Pak kilometra më larg aeroportit ndërkombëtar të Rinasit ai u vra të martën, ndërsa në fytyrë mbante një maskë dhe në trup iu gjetën eksploziv dhe granata.

Ekspertiza ligjore tani është duke verifikuar se kush e vrau grabitësin. Policia lajmëroi një ditë më parë se ai mbeti i vrarë gjatë përplasjes me ta disa qindra metra larg aeroportit.

 

Top Channel