Në vigjiljen e një përballjeje të rëndësishme si ajo ndaj Skënderbeut, trajneri i Partizanit, Skënder Gega kërkoi të ngrejë nivelin e optimizmit për ekipin e tij.

Disfata e fundit nuk e komplikoi renditjen dhe fushatën për titullin, por zhgënjeu tifozët dhe bëri shumë skeptikë të mendojnë se kryeqytetasit do të kenë tashmë shumë oshilacione.

“Ekipi është i ngarkuar fizikisht, sepse kemi bërë disa ndeshje rresht. Aq më tepër vijmë nga një rezultat negativ i papritur, pak më shumë kohë do të ishte më mirë. Duhet ta bëjmë këtë ndeshje. Kemi bërë një analizë”, tha Gega.

Partizani do të zbresë në fushë të mërkurën në orën 18:30, pikërisht atëherë kur rivali kryesor, Kukësi, të ketë përfunduar ndeshjen në Laç. Ndoshta kjo do të krijojë presion te “Demat e kuq”.

“Rezultatet janë ato që krijojnë aludime. Dikur kundërshtarët tonë ankoheshin përse Partizani luan përpara, sepse ndikon, ose luan mbrapa sepse na studion neve. Unë nuk kam probleme me këto gjëra”, tha Gega.

Për sfidën ndaj korçarëve janë në dyshim Bardhi dhe Hebaj, për të cilët, trajneri Skënder Gega tha se do të vendoset pak çaste para formacionit zyrtar.

Top Channel