Luhen sot në mbrëmje 2 ndeshjet e para çerekfinale të Ligës së Kampioneve. Në Anfield, Liverpooli, finalisti i vitit të kaluar do të presë Porton me portugezët që do të kërkojnë revanshin për humbjen 5-0 të pësuar nga The Reds në 1/8 e finaleve të sezonit të kaluar.

Liverpool vjen si skuadra që kryeson Premier Leaguen dhe trajneri Jurgen Klopp ka deklaruar se skuadra e tij është në një moment shumë të mirë, por që përballë Portos e pret një ndeshje e vështirë.

Nga ana e saj skuadra e Conceiçaos përveç hakmarrjes në mbrëmjen e sotme do të kërkojë të thyejë edhe tabunë Angli, pasi në 18 ndeshje të zhvilluara në këtë vend nuk ka mundur të fitojë asnjëherë.

Sot do të luhet edhe derbi britanik i Champions League mes Tottenhamit dhe Manchester City. Kjo është hera e 6 që dy skuadra të Premier Leagues vihen përballë njëra-tjetrës në cerekfinale të Ligës së Kampioneve. Sfida do të luhet në stadiumin e ri të klubit londinez, Tottenham Hotspur Stadium që u përurua përpara 1 jave.

Tottenhami nuk luan në cerekfinale të Ligës së Kampioneve që nga viti 2011 dhe Pochettino deklaroi se skuadra e tij do të kërkojë të jetë agresive në këtë ndeshje për të shkruar historinë në shtëpinë e re të saj.

Por Hotspurs do të kenë përballë Manchester City që këtë vit pretendon të fitojë të gjithë trofetë sezonalë. për më tepër Citizens kanë një bilanc të frikshëm përsa i përket këtij viti teksa kanë fituar 20 ndeshje në 22 të zhvilluara gjithsej.

Top Channel