Mijëra vetë po marrin arratinë nga zonat në afërsi të Tripolit, ku kanë shpërthyer luftimet ndërmjet forcave të gjeneralit me shumë ndikim, Khalifa Haftar, dhe besnikëve të qeverisë së unitetit, të njohur ndërkombëtarisht.

Kreu i kësaj të fundit, Fayez al-Serraj e ka akuzuar gjeneralin se po tenton një “grusht shteti”, e thotë se rebelët do të përballen me forcën e armëve.

Ministria vendase e Shëndetit Publik flet për të paktën 25 të vrarë e 80 të plagosur, ushtarë e civilë. Raportet e mëhershme jepnin një bilanc edhe më të rënduar të situatës.

Apeli i OKB-së për një armëpushim dyorësh, i cili të lejojë evakuimin e të plagosurve edhe civilëve, ra në vesh të shurdhër. Pas kësaj, BE-ja dhe disa vende të tjera, përfshi Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, kërkuarn që luftimeve t’iu jepej fund menjëherë.

“Kjo fushatë e njëanshme ushtarake kundër Tripolit, – tha shefi i diplomacisë amerikane Mike Pompeo, – po rrezikon civilët dhe po minon perspektivën e një të ardhmjeje më të mirë për të gjithë libianët”.

Fuqitë ndërkombëtare e kanë nisur ndërkohë evakuimin e personelit nga Libia. Vёzhguesit druhen se vendin afrikano-verior e kёrcёnon njё luftё e re civile.

Qё pas rrёzimit tё Muammar al-Gaddafit, nё vitin 2011, në Libi janë përhapur shumë forcat paraushtarake, ndërsa vendi qeveriset që prej atëherë prej autoritetesh rivale në lindje dhe në Tripoli, të mbështetura secila prej grupesh të ndryshme të armatosura.

Top Channel