Pas thuajse 30 vitesh, prokurori publik në Rumani, Augustin Lazar, ka njoftuar fundin e hetimit mbi revolucionin vdekjeprurës të 1989 që rrëzoi regjimin komunist në vend. Ish presidenti, Ion Iliesku është urdhëruar të dalë para gjyqit për krime kundër njerëzimit për rolin e tij, duke shënuar një moment të vecantë për drejtësinë rumune- thotë Lazar.

“Është një moment i vecantë për drejtësinë rumune në tërësi. Një moment që shënon plotësimin e një detyre profesionale, por edhe një misioni nderi përballë historisë dhe popullit”, tha Augustin Lazar, prokuror publik.

 Prokurori publik ka kërkuar ndjesë në emër të institucionit që drejton për kohëzgjatjen e tepruar të hetimit.

“Unë mendoj se konkluzioni i hetimit për të cuar ish presidentin iliesku në gjyq, është dëshmi e respektit për heronjtë e dhjetorit 1989, por në të njëjtën kohë edhe një dëshmi e përgjegjësisë për edukimin e gjeneratave të ardhshme”, vazhdoi ai.

Tani, ish presidenti dhe zyrtarë të tjerë do të dalin para gjyqit  për krime kundër njerëzimit. Prokurorët ushtarakë rumunë e kanë përcjellë tashmë dosjen voluminoze në gjykatë. Iliesku, tani 89 vjeç, ishte president i Rumanisë pas revolucionit, nga 1989 deri në 1996 dhe sërish në vitet 2000 2004.

Më 21 dhjetor 1989 në Rumani, ra diktatori komunist Nikolae Çaushesku, dhe  kasta e re politike që u krijua, akuzohet se e zhyti vendin në kaos, që rezultoi me 862 viktima dhe 2150 të plagosur. Qindra të tjerë u arrestuan në mënyrë arbitrare dhe pësuan trauma psikologjike. Pasojat, sipas hetimit, ishin më të rënda nga aktet represive të regjimit komunist që po vdiste.

Top Channel