Enti Rregullator i Energjisë rrëzoi kërkesën e OST-së për të realizuar 100 milionë euro investime, me kredi të garantuar nga një kompani private. Përmes një vendimi unanim, komisionerët e Entit e kanë cilësuar procedurën e veçantë të përzgjedhur nga OST-ja, si të paligjshme dhe të pambështetur në analizë tekniko-ekonomike.

Projekti 100 milionë euro i OST-së, praktikisht ishte një koncesion i fshehtë. Zyrtarisht procedurat për këtë projekt nisën më 28 dhjetor të vitit të kaluar, pikërisht në kulmin e skandalit me tenderin që fitoi kompania “DH Albania”.

Në atë kohë, përmes një shkrese drejtuar Ministrisë së Financave, asaj të Energjisë dhe Entit Rregullator, OST-ja kërkoi “dritën jeshile” për të kontraktuar një kompani private, e cila do të investonte 100 milionë euro në rrjetin e Transmetimit nga paratë e veta, e më pas do të shlyhej nga shteti për 15 vite.

Në kërkesën e saj, OST-ja e argumentonte procedurën e veçantë më faktin se këto investime ishin të domosdoshme, e se ajo nuk kishte fuqi financiare për t’i realizuar vet.

Top Channel mësoi se pas projektit qëndronte një kompani kineze, e cila vitin e kaluar ka pasur kontakte të vazhdueshme në OST-në. Madje, ka qenë pikërisht kjo kompani, e cila përveçse ka propozuar formulën, ka bërë studimin e rrjetit, duke përcaktuar edhe pikat se ku duhet ndërhyrë me faturën përkatëse.

Por, i gjithë projekti është hedhur poshtë nga Enti Rregullator, i cili argumenton se investimet e propozuara nuk ishin pjesë e planit 10-vjeçar dhe as në kushtet e investimeve të planifikuara, por të parealizuara, që mund të tolerohej procedura e veçantë.

Top Channel