Turqi, “kryebashkiaku” i Stambollit: AKP, humbës të këqinj! Erdogan? Çdo gjë e ka një fund

04/04/2019 08:46

Stambolli vijon të jetojë mes realiteteve paralele. Në konferencat e përditshme për shtyp, Ekrem Imamoglu i partisë opozitare “CHP” thotë se është kryebashkiaku i ri.

E në fakt, rezultatet paraprake të Bordit Zgjedhor i japin të drejtë, si fitues i zgjedhjeve lokale të fundjavës së kaluar me rreth 25 mijë vota diferencë.

Por, kudo në mbarë vendin, partia në pushtet “AKP” ka vendosur postera fitoreje, me presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe kandidati Binaly Yildirim falënderojnë Stambollin për fitoren. Kjo, për shkak se qeveria ka ankimuar rezultatet e Stambollit dhe kërkoi rinumërim.

Edhe pse ka fituar shumicën e votave në mbarë Turqinë, qeveria e Erdoganit humbi kryeqytetin, Ankaranë, por edhe Izmirin, qytetin e tretë më të madh. Por, “AKP”-ja duket se do të sfidojë edhe fitoren e “CHP”-së në kryeqytet.

Presidenti Erdogan nuk duket aspak i gatshëm të lëshojë Stambollin, kryeqendrën ekonomike të Turqisë dhe vendlindjen e tij, prej nga ku nisi edhe karrierën e tij si kryebashkiak.

“Kjo nuk është një sjellje xhentëllmenësh, – tha Ekrem Imamoglu në lidhje me posterat e AKP-së për BBC-në. – Kemi parë rezultatet nga Bordi Zgjedhor dhe e dimë shumë mirë se kush kryeson garën”.

Por, partia e Erdoganit në pushtet thotë se votat e pavlefshme në qendrat e votimit kanë “deformuar” rezultatin, duke e quajtur madje “njollën më të madhe në historinë e Turqisë demokratike”.

“Sigurisht që nuk bie dakord. Deri dje, qeveria dhe partia në pushtet pretendonin se Turqia kishte sistemin më të besueshëm të votimit, e madje thurnin shumë lavde. Një milion njerëz kanë qenë në krye të detyrës në qendrat e votimit atë natë. Nëse do të kishte pasur ndonjë aktivitet të dyshimtë, do ta kishin regjistruar dhe do të kishin bërë një raport me shkrim. Të paktën kjo është procedura zyrtare këtu. Tashmë, i vetmi shpjegim për sjelljen e tyre është se, po gjejnë justifikim për dështimin e tyre”, tha Imamoglu.

Ankimimi nga ana e qeverisë ka sjellë akuza për hipokrizi, pasi ishte po kjo qeveri që i kishte mohuar opozitës të drejtën për të ankimuar rezultatet e diskutueshme zgjedhore, në lokalet e vitit 2014 në Ankara. Madje, edhe në referendumin e vitit 2017 që ndryshoi sistemin politik të Turqisë, për të favorizuar presidentin Erdogan, Bordi Zgjedhor i kontrolluar nga shteti vendosi të numëronte letrat e pastampuara në kutitë e votimit. Opozita kundërshtoi me të madhe, por qeveria “i mbyti” shumë shpejt zërat e saj.

Humbja e Ankarasë, Stambollit dhe disa prej qyteteve të tjera sigurisht që është një goditje e rëndë për Erdoganin, e ndoshta do të shënojë edhe pikën e kthesës pas 16 viteve të sundimit të tij.

“Çdo gjë e ka një fund. Partitë, qeveritë, edhe jeta vet madje. Erdogani i ka dhënë fund pushtetit të tij 17-vjeçar. Ka probleme dhe gjëra që ne nuk i pëlqejmë, por sigurisht që ai ka qenë një sukses politik. Gjithsesi një fund do ta ketë padyshim një ditë”, mbyll intervistën e tij Imamoglu.

Top Channel