Salla e re e koncerteve, Ermonela Jaho: Ne ëndërronim të këndonim në një ambient të tillë

04/04/2019 11:13

Artistja shqiptare me famë botërore, sopranoja Ermonela Jaho vlerëson ndërtimin e sallës së re të koncerteve në Liceun Artistik “Jordan Misja”, të inauguruar dje nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Sopranoja Joho e cila është edhe një nga produktet e Liceut Artistik “Jordan Misja”, nëpërmjet një postimi në Twitter është shprehur se dikur ëndërronte të këndonte në një sallë të tillë diku nëpër botë ndërsa artistët e rinj shqiptarë mund ta jetojnë tashmë këtë ëndërr në vendin e tyre.

“Nëse ne ëndërronim të këndonim në një sallë të tillë diku nëpër botë, artistët e rinj do fillojnë ta jetojnë këtë ëndërr në vendin e tyre. Ta gëzoni, ta gëzojmë të gjithë dhe u mbushtë me shumë dashuri dhe pasion të buruar nga shpirtrat e artistëve të së ardhmes”, komenton Jaho në Twitter.

Ndërtimi i sallës së re të koncerteve e pagëzuar me emrin e kompozitorit “Tonin Harapi” është një premtim i mbajtur i Bashkisë së Tiranës për një sallë të denjë për artistët e rinj që përgatiten për të shfaqur talentin e tyre në Shqipëri, por edhe nëpër botë.

Top Channel