Denveri e lë pas krahëve humbjen me Golden State, duke iu imponuar me forcë kundërshtarit të radhës, San Antonios, të cilin e mundi me rezultatin 113-85.

Skuadra nga Colorado zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme, gjë që e tregon edhe vet rezultati i sfidës.

“Nuggets”-ave u mjaftoi pjesa e parë e sfidës për të marrë rrugën drejt fitores, teksa e mbylli atë me avantazhin e 18 pikëve. Në një moment të sfidës, diferenca mes Denverit dhe San Antonios u thellua edhe më shumë, e shkoi deri në 30 pikë.

Ai që udhëhoqi sulmin e Denverit në këtë përballje ishte Nikola Jokiç, me 20 pikë, 11 topa në tabelë e 9 asiste. Por, kontribut dhanë edhe Morris e Beasly, me nga 19 pikë. Për San Antonion, të vetmit që morën nota kaluese ishin Aldridge e De Rozan.

Fitore shënoi edhe Houston, që mposhti Los Angeles Clippers në “Staples Center”, 135-103. Edhe në këtë rast, ndeshja nuk pati histori, pas “Rockets”-at e dominuan atë nga fillimi deri në fundin e saj.

Ai që udhëhoqi skuadrën teksane drejt suksesit ishte i zakonshmi James Harden, me 31 pikë, 7 topa në tabelë e 7 asiste. Ai u ndihmua edhe nga Chris Paul, me 29 pikë e 7 asiste; e Clint Capela, me 24 pikë e 15 topa në tabelë.

Pas kësaj humbjeje dhe me fitoren e Utah ndaj Phoenix, LA Clippers mban vendin e 6 në Konferencën e Perëndimit dhe rrezikon që të përballet me Houstonin edhe në fazën e “play off”-eve.

Top Channel