Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg e paralajmëroi Kongresin amerikan për kërcënimin që paraqet Rusia ndaj aleancës, duke theksuar se ajo është bërë më agresive, e si shembull solli shkeljet e saj ndaj Traktatit të Armëve Bërthamore me rreze të mesme veprimi.

“NATO nuk ka ndërmend të vendosë raketa bërthamore me bazë tokësore në Europë. Ne nuk duam një garë të re armatimesh, nuk duam një Luftë të re të Ftohtë me Rusinë. Por, nuk duhet të jemi naivë. Një marrëveshje, e cila respektohet vetëm nga njëra palë nuk na garanton dot sigurinë”, u shpreh ai para kongresmenëve amerikanë.

“Ne përpiqemi për një marrëdhënie më të mirë me Moskën, – sqaroi më tej numri një i aleancës së Atlantikut të Veriut. – Por, edhe me një marrëdhënie më të mirë, përsëri na duhet të përballemi me një problem të vështirë”.

Stoltenberg e përdori fjalimin e tij për të argumentuar gjithashtu me forcë se, NATO është aleanca më e suksesshme në histori, ndonëse presidenti Donald Trump shpeshherë nuk i ka kursyer komentet ironike për të.

Anëtarët e Kongresit e përshëndetën kreun e NATO-s me brohoritje të gjata dhe shumë prej tyre e panë fjalimin e tij përpara sesionit të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, si një rast të mirë për të riafirmuar angazhimin amerikan ndaj aleancës.

Stoltenberg është i pari norvegjez, të cilit siç thotë “Zëri i Amerikës” i akordohet nderi i rrallë për të mbajtur një fjalim të tillë.

Top Channel