Në një lagje të Bulqizës, banorët jetojnë në paradoks: Ujë nuk kanë në çezma, por uji u rrezikon banesat. Përroi i lagjes Allmete nuk pastrohet dhe si rrjedhim del nga shtrati kur ka reshje.

Vërshimet kanë shkatërruar rrugën, por dhe tubacionin e ujësjellësit që kalon pranë tij.

Një prej banorëve Feti Dauti thotë se jetojnë vetëm 400 metra larg bashkisë, por përroin e tyre nuk e pastron askush.

“Kam shkuar mbi 10 herë te bashkia, por nuk do t’ia dijë njeri. Ne nuk kemi ujë as për të pirë, as për të vaditur asgjë”- tha ai.

I vendosur në sipërfaqe për shkak të afërsisë me përroin, tubi i ujit të pijshëm në dimër ngrin. Ndaj edhe pse banorët paguajnë faturat e ujit, në çezma uji nuk u vjen.

Zona në të cilën jetojnë këta banorë shquhet për burime hidrike, por mosmirëmbajtja si në këtë rast i lë ata shpesh të vuajnë për ujë edhe pse mes ujit jetojnë brez pas brezi.

Top Channel