Banka Botërore paralajmëroi se ekonomia shqiptare po humbet momentin pozitiv dhe pritet të hyjë në një periudhë me rritje më të ngadaltë.

“Në 3 vitet e ardhshme, ekonomia e Shqipërisë mendojmë se do të rritet më ngadalë sesa në vitin 2018”, tha Hilda Shijaku, kryeekonomiste e Bankës Botërore.

Vitin e kaluar, prodhimi kombëtar u zgjerua me 4.06 për qind, çka përbën rritjen më të lartë të dekadës. Banka parashikon se këtë vit, rritja ekonomike do të ngadalësohet në 3.8 për qind, ndërsa për vitin 2020 ajo do të zbresë në 3.6 për qind.

Por, edhe ky parashikim përmban rreziqe.

“Kushtet klimatike më të vështira, të cilat po vihen re edhe në këtë fillimviti, mund të çojnë në një rishikim me ulje të rritjes ekonomike. Gjithashtu edhe pasiguritë e lidhura me zhvillimet ndërkombëtare”, tha më tej ekspertja Hilda.

Në raportin rajonal ekonomik, Banka paralajmëroi se një tjetër risk për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, është kriza politike, e cila sipas saj pasqyron edhe dështimin e qeverive për të kryer reformat e nevojshme ekonomike.

“Këto protesta që vihen re në shumë nga vendet e Ballkanit lidhen edhe me vonesat në implementimin e reformave strukturore. Autoritetet e këtyre vendeve duhet të marrin masa që të përshpejtojnë reformat strukturore, duke veçuar mundësimin në integrimin e tregut të punës nëpërmjet investimeve të kapitalit human, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe duke krijuar kushte të barabarta zhvillimi për të gjithë”, tha Hilda Shijaku.

Veç reformave strukturore, Banka i ka sugjeruar qeverisë të shlyejë detyrimet e papagaura ndaj biznesit dhe të mbajë nën kontroll rreziqet që vijnë nga koncesionet, për të mos kompromentuar uljen e borxhit publik.

Top Channel